Ajdareviç në vështirësi

Astrit Ajdareviç po kalon momente të vështira në Belgjikë. Skuadra e tij, Standard Liege ka regjistruar rezultate zhgënjyese, të cilat bënë që trajneri Ron Jans të shkarkohet.
Ky është një lajm i keq sidomos për mesfushorin kosovar, të cilin ishte pikërisht trajneri holandez ai i cili e solli në kampionatin belg nga ai suedez. “Ishte një lajm shokues për mua, ndihem i trishtuar. Ishte një trajner i mirë, i cili më ka sjellë mua këtu”, ka thënë Ajdareviç për të përditshmen suedeze Folkbladet.
Standardi është i 12-ti në Pro League, shumë më poshtë se që ishte pritur nga njëri prej ekipeve më të mëdha në Belgjikë. Humbja e fundit nga Mons i kushtoi me shkarkim trajnerit Jans.
“E vërteta është se kemi disa lojtarë të mirë, por ende nuk jemi komponuar si skuadër. Kemi ndryshuar shumë së fundmi dhe jemi përmirësuar. Duhet t’i mbajmë lojtarët që kemi dhe të tregojmë se jemi skuadër e madhe”, vazhdoi Ajdareviç.