E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ajo që presim nga viti 2010

Viti 2010 do të jetë viti kur qytetarët shqiptarë, të gjithë përveç atyre që jetojnë brenda oborrit të Familjes në Pushtet apo kanë lidhje me të, do të paguajnë pikërisht faturën e papërballueshme të politikës së gënjeshtrave, të borxheve pa logjikë, të shpenzimeve pafre, të lënies së vendit symbyllur drejt të tatëpjetës së një krize që sapo ka filluar

Nga Edi Rama* (Foto: Rama sot në mbledhjen socialiste NOA/LSA)

Kryetar i PS

Këshillit Ekonomik Kombëtar të Partisë Socialiste është një strukturë e domosdoshme në kushtet e sotme, kur programi ynë qeverisës, modeli i zhvillimit ekonomik të vendit që u propozuam shqiptarëve në 28 qershor, provohet dita ditës të jetë alternativa e duhur për Shqipërinë dhe kur, nga ana tjetër, alternativa e atyre që sot qeverisin pa u votuar, po provohet dita ditës si rruga drejt greminës për vendin e për ekonominë e tij.

Ky këshill, që do të mbledhë në përbërjen e tij ekonomistët e grupit tonë parlamentar dhe jo vetëm, të tjerë deputetë dhe kontribuues me eksperiencë nga kjo asamble e nga shoqëria civile, do të mbështetet prej një ekipi teknicienësh të rinj, të cilët do të punojnë pranë nesh për përditësimin e të dhënave, shifrave e fakteve në funksion të detyrimeve të Këshillit Ekonomik Kombëtar të Partisë Socialiste.

Viti 2010 do të jetë viti i shpërfaqjes së plotë të krizës ekonomike që ne e kemi paralajmëruar prej kohësh dhe, edhe me më shumë këmbëngulje, në muajt e parë të 2009-ës. Por, fatkeqësisht, as kambana jonë dhe as kambana e Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk u dëgjuan nga Sali Berisha. I cili jo vetëm e fshehu fillimin e krizës duke ia faturuar këtë kosto të shtuar si gjithmonë qytetarëve shqiptarë, por bëri ekzaktësisht të kundërtën e asaj që do të bënte çdo kryeministër i përgjegjshëm për detyrën e tij karshi popullit të vet.

Sali Berisha i shtoi dramatikisht pasojat e krizës duke thelluar borxhet në mënyrë të paarsyeshme, duke bërë shpenzime të shfrenuara para e gjatë fushatës elektorale dhe duke e lënë vendin në rënie të lirë, pa marrë absolutisht asnjë masë antikrizë.

Viti 2010 do të jetë viti kur qytetarët shqiptarë, të gjithë përveç atyre që jetojnë brenda oborrit të Familjes në Pushtet apo kanë lidhje me të, do të paguajnë pikërisht faturën e papërballueshme të politikës së gënjeshtrave, të borxheve pa logjikë, të shpenzimeve pafre, të lënies së vendit symbyllur drejt të tatëpjetës së një krize që sapo ka filluar.

Viti 2010 do të jetë viti i rizgjimit të njerëzve nga dhimbjet e një krize ekonomike që në fakt është projektuar me kohë, bashkë me modelin dritëshkurtër të rritjes ekonomike pa punësim, pa prodhim, pa zhvillim të qëndrueshëm, pa arsim e përparim teknologjik, pa import të kapitaleve investuese dhe as eksport të qenësishëm të mallrave e të shërbimeve.

Viti 2010 do të jetë viti i rikthimit mbrapsht, në të shkuarën, ndërkohë që vite të tjera kanë kaluar pa rritur dot qëndrueshmërinë e themeleve të një sistemi politik dhe ekonomik, të cilin etja për pushtet të pakontestueshëm e për para të madhe përmes korruptimit të pushtetit, e ka risjellë në kushtet e ezaurimit të fuqive.

Praktikisht ka mbaruar një tjetër cikël i sforcuar rritjeje reale e shifrash të manipuluara brenda kufijve të një modeli ekonomik të ndërtuar gabim.

Dhe ka filluar një rënie agresive ekonomike, që me ndihmën e Zotit, mos qoftë me tramundanë të madhe për vendin e sfilitur shumë në të tëra drejtimet edhe pa filluar viti i ri i krizës më të rëndë të ekonomisë pas vitit 1997.

Por, viti që po vjen do të jetë në të gjitha rastet periudha e një rizgjimi të dhimbshëm për shqiptarët, jo vetëm për të varfrit, të papunët e pensionistët, por edhe për sipërmarrësit e vegjël, të mesëm e madje për të gjithë të mëdhenjtë që nuk hyjnë në grushtin e klientëve të Pushtetit të Familjes.

Ka rënë modeli ekonomik i këtyre viteve shpenzimesh pa asnjë vizion integral, investimesh pa asnjë logjikë ekonomike e koherencë logjike, arnimesh të paqëndrueshme fiskale që asnjëherë nuk e bënë të qëndrueshëm terrenin e sipërmarrjes së lirë, kapjeje të ekonomisë nga klientela monopoliste dhe rendjeje pas uljes së taksave e ngritjes së përqindjes së rritjes si në një vrapim të marrë drejt murit ku, në fakt, po përplaset tanimë e shteruar forcash ekonomia shqiptare.

E cila është e atrofizuar nga mungesa e konkurrencës së lirë që është oksigjeni i një ekonomie tregu, nga mungesa e tregut dhe e importit të kapitaleve investuese, pa të cilat ska minimalisht as prodhim e as punësim, nga mungesa e kushtetutshmërisë mbi pronën, nga mungesa e një administrate publike në shërbim të qytetarit e të sipërmarrjes së lirë, mungesa e një sistemi drejtësie të pavarur, mungesa e një sistemi arsimor që kualifikon fuqinë punëtore të vendit e plot mungesa të tjera, ku padyshim edhe mungesa e një politike të çliruar nga mendësia komuniste në marrëdhëniet me kundërshtarin në opozitë, ka një efekt destabilizues për ekonominë.

Viti 2009 po mbyllet pas disa muajsh të fundit me 0% rritje dhe së fundmi me shifër negative nën 0%, ndërkohë që leku ka njohur zhvlerësimin më të madh pas më shumë se dhjetë vitesh, duke vepruar si një taksë e fshehtë mbi çdo qytetar që shpenzon.

Ky zhvlerësim i lekut do të vazhdojë edhe në vitin 2010, kur shqiptarët do të ballafaqohen drejtpërdrejt me një rritje të mëtejshme të kostos së jetesës, në faturën e energjisë, në faturën e ushqimeve, në faturën e vizitave shëndetësore e të ilaçeve, në faturën e arsimimit të fëmijëve.

Vetëm nga rritja e çmimeve të ushqimit gjatë pjesës së dytë të vitit 2009 dhe të energjisë dje, pensionistëve u është zeruar shtesa e pensionit për vitin 2009.

800 mijë shqiptarëve të pasiguruar për shkak se nuk janë në marrëdhënie pune, do tu duhet të paguajnë sa herë të trokasin tek mjeku i familjes 10 mijë lek. Tek mjeku specialist i Poliklinikës 15 mijë lek. Sa herë të kapërcejnë pragun e spitalit rajonal për një vizitë 20 mijë lek. Sa herë të shkojnë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës 30 mijë lek. Gjithë gjithë katër pesë herë më shumë se deri dy muaj më parë.

Sali Berisha premtoi se të paktën për nënat me barrëlindje do të hiqte tarifën e pakuptimtë të vizitave shëndetësore. Por në fakt e ka shtuar, duke shtuar numrin e nënave shtatzënë që nuk do të shohin dot më gjendjen e bebes në bark për shkak të varfërisë. 10 mijë lek janë një shifër e papërballueshme, jo vetëm për një grua të re të papunë në një familje që jeton me ndihmë ekonomike. Por edhe për shumë gra të tjera pa sigurime shëndetësore në këtë vend. E njëjta gjë për librat e shkollës. Në fillim të shtatorit më erdhi në zyrë vajza e një polici të vrarë. Nxënëse me të gjitha dhjeta e kryeqytetit dhe përfituese në disa vite e bursës së Bashkisë së Tiranës për nxënësit e shkëlqyer. Kishte fituar mjekësinë dhe rroga e të ëmës nuk mjaftonte për të blerë edhe librat e shkollës. Po sa janë fëmijët e tjerë që këtë vit kanë rrëshqitur në humnerën e analfabetizmit për shkak se prindërit nuk u blejnë dot librat e shkollës? Askush nuk e di në këtë vend ku të vërtetat e qeverisjes fshihen, faktet trukohen, shifrat manipulohen, por dihet botërisht që analfabetizmi dyshifror në Shqipëri rritet çdo vit duke u bërë një fenomen përvit e më i paperceptueshëm për realitetin e Europës ku duam të integrohemi.

Viti 2009 ka shtuar alarmin e disavitshëm tashmë të bilancit të pagesave.

Deficiti i llogarisë korrente është dyfishuar në harkun e dy-tre viteve. Ndërkohë, deficiti i tregtisë në mallra ka shkuar në rreth 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për herë të parë në dhjetëvjeçarin e fundit vlera e importeve rezultoi me një rënie vjetore 8% dhe ajo e ekspor

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›