Rama, hall me protesta e hall pa protesta
“Sa thellë paska vajtur zullumi more burrë”, - po thoshte një ditë një mik në kafe, teksa dëgjonte çudirat si fluturonte në shitje një metër katror tokë në Tiranë, sipas gjeografisë së afërsisë së blerësit me kryebashkiakun, kryetarin e Partisë Socialiste, që edhe kalon ndonjëherë nga zyra për të marrë ndonjë çelës të qytetit t’ia falë ndonjërit kur kthehet nga Beogradi. Më duket se nuk është i vogël sikleti që ka zënë Ramën. Ai u nis për të vënë vetulla e, largqoftë, por më duket se po “nxjerr sytë”. Kështu si e ka zënë me kutihapjen e pamundur ligjore, me të cilën mendoi se gjeti Asin politik me ndihmën e Ngjelës, për të rritur numrin e mbështetësve në parti që për t’i numëruar vetë dhe treguar të tijve i nxjerr në rrugë një herë në javë. Ndaj s’u ndahet protestave, e ka angazhuar gjithë partinë në këtë punë pa bereqet, që të bëjnë vetëm protesta, pavarësisht tekave të motit me reshjet. Kështu, hall me protesta e hall pa protesta, është historia që po përsërit kryeopozitari që më kujtoi këngën elbasanase “Hall me burrë e hall pa burrë, hall të mos martohesh kurr녔 Pakësimi gradual deri në shuarje, ashtu si dje ku nuk iu bashkangjitën as aleatët, ndjekësit nuk do ta mbrojnë nga protesta e dokumentacionit, hapjes së të vetmes kuti që e ka fuqizuar Ramën deri në shpërfillje. Kutisë së abuzimit për vete e miqtë financiarë që tani janë në ankth me shumë ligje që kërkojnë llogari për çdo monedhë fituar ndryshe. Me të vërtetë shërbeu denoncimi publik i fortë i Berishës javë më parë për “mafian” që të nxeheshin gjakrat në konferenca shtypi, por kjo nuk ka penguar askënd që gjakftohtë të publikojë dokumente që bindin se me pronën publike është bërë krim nga i cili vështirë të të mbrojë xhaketa partiake. Duke dashur për çdo gjë të kundërshtojë qeverinë dhe Berishën, kryesocialisti në protestë po lëshon radhët e para dhe ka marrë përsipër që të bëjë gjithë rrëmujën i vetëm, sepse ata që besojnë ndryshe, kanë nisur të ftohen disi. Kastriot Islami, një nga deputetët e “Mendimit Ndryshe”, tha ca ditë më herët se ajo që po bën kryetari i PS-së nuk ndodh as në Bangladesh e kjo vërejtje nuk është kompliment që e mendon vetëm arkitekti i formulës zgjedhore, ngadalë do ta kthejnë në refren me zë shumë të tjerë.
Rama ka rënë në hall edhe për nga cilësia e bashkëpunëtorëve që ta ndihmojnë në rrugëtimin e dytë nëpër rrethe apo të debatojnë për të ardhur në një zgjidhje që vështirësohet pas zgjedhjes radikale të strategjisë së pushtetarit lokal. Pasi denoncoi Kryeministrin dhe disa ministra në gjykatë për akuzat që iu bënë e më pas takoi Presidentin Bamir Topi, menduam se kreu i PS-së ka marrë vendim që t’u kthehet institucioneve për të zgjidhur atë që ai e mendon si padrejtësi. E Presidenti ishte e është garant i mjaftueshëm për të shërbyer që të ndërrojë klima në një histori si kjo që po shohim, por jo pak lojtarë e aktorë në politikë kujtuan se Rama mbërriti në Presidencë me një propozim, ide, projekt, ofertë, pretendim, kërkesë, duke dashur dashamirësisht të kthejë grupin parlamentar në Kuvend. Pastaj aty le të vazhdojë debati e beteja. Duket se pasi e kanë braktisur aleatët, Rama mundohet tek-tuk të aktivizojë ndonjë ambasador dashamirës ndaj tij, që ndryshe nga vendi që përfaqëson, mban tjetër qëndrim me deklaratat para shtypit në kryeqytetin ku shërben. Nuk janë të pakta në Tiranë mospërputhjet diplomatike që hasen duke të bërë të mendosh se ambasadorët e shohin veten shpesh si qytetarë shqiptarë në qëndrime e marrin referencë njohjet personale, sesa përfaqësues kancelarish apo qeverish mike e aleate të të gjithë vendit. Kjo është një tjetër protestë që nuk kalon pa u vënë re. Nëse do t’i shqyrtoje me radhë deklarimet e diplomatëve të huaj në Tiranë për çështje të ndryshme, gjen shpesh se refrenet e tyre dhe te kryeministrave të tyre nuk janë në të njëjtën linjë apo bosht të të thënit të gjërave. Njëri bën vërejtje në Tiranë, tjetri në të njëjtën ditë vlerësime në Bruksel, vartësi është kundër eprori pro e ne na kërkohet të marrim në konsideratë zyrtarin e jo kryezyrtarin e një vendi. Nëse i kërkojnë qeverisë dhe opozitës të gjejnë një zgjidhje, bëjnë shumë mire të gjithë ambasadorët. Nëse kërkojnë që qeveria të tolerojë në një pikë që ata e mendojnë, ta thonë pak më shpesh e më hapur, të harrojnë një sekondë se ku janë, se nuk është hera e parë që e përdorin harresën diplomatike dhe anonime. Ne e kemi dëgjuar prej tyre hapur se nuk hapen kutitë, se janë institucionet që kanë certifikuar zgjedhjet. Atëherë nëse në këtë aksion ata mbështesin Ramën, t’u thonë vëzhguesve të vendeve të tyre, kanë pasur thuajse të gjithë, se përse keni thënë që zgjedhjet përmbushën standardet kryesore dhe nuk ka pasur shenja e të dhëna që flasin për ndryshim rezultati? Se ishin më të mirat që janë bërë deri më tani?
Rama kërkon të vetmen gjë, të hapë kutitë! Atëherë të nderuar ambasadorë, ku të mbahemi???
Nëse vërtet njëra forcë politike sipas gjykimit tuaj e ka gabim sjelljen, atëherë e shkoqitni më drejt këtë dyshim, duke përmendur emra e jo duke risjellë kritikat për korrupsion që janë shtrirë jo vetëm në qeveri, ku nuk mohohet se ka, por edhe në shumë bashki aq më tepër në atë që drejtohet në distancë nga Edi Rama në më të madhen e vendit.
Do të doja të dëgjoja ndonjë nga ambasadorët në Tiranë nga cilido vend qoftë, që të lexonte dy vendime të Bashkisë së Tiranës, që njërit sipërmarrës, shoqërisë “Tajvani” ia shet truallin me 97 euro, ndërsa 50 metra më tutje në qendër të kryeqytetit, gjithashtu e shet po sipas vendimit me 1500 euro metrin katror. A përbën kjo për shkëlqesitë ambasadorë korrupsion?
Se në gjykimin tonë mendojmë se është më tepër se kaq, kapërcen në krim, në vepër penale dhe Prokuroria e Përgjithshme, zonja Ina Rama, mirë është të gjejë pak guxim e ta përdorë atë të shkretë nën logon “Kryesisht” që të hetojë çfarë gjëme është bërë më trojet rrotull godinës së saj, aq sa i sheh dhe me sy të lirë, sepse kanë dalë jo pak dokumente zyrtarë që japin indice të bollshme.
Kjo është protesta më e fortë, me e ligjshme që duhet të mbështesim të majtë e të djathtë, ambasadorë e komisionerë, që të marrim vesh se paratë kanë ngjyrë të pastër. Ishte ajo deklaratë e ministrit Sokol Olldashi që i referohej një shkrese të Bashkisë Tiranë që tani drejtohet nga protestat dhe jo punët për qytetarët, në të cilën thuhet se “çmimi me të cilin duhej të shitej trualli përballë hotel “Dajtit” është 1500 euro për metër katror”. Pra kemi këto fakte, në tetor të vitit 2004 Bashkia e Tiranës, truallin përballë hotel “Dajtit” e vlerëson me 1500 euro për m2, në maj 2005 katër muaj më vonë, çmimi matanë rrugës, në lulishten e “Tajvanit” e vlerëson me 97 euro për m2. Do të ishte mirë që kjo të mos merrej me shaka si vepër e pushtetit, por të çmohej mirë nga organe të hetimit dhe kushdo qofshin palët të japin hesap para drejtësisë, sepse ligji ka ndarë interesat ndryshe. Duke dashur të mbështesë si gjithnjë në të drejtën e aksionit të tij politik, Rama ka prodhuar ngërçe, i papërgatitur se mund të gjendet për dy ditë bllof. Buxheti më i vogël i bashkive, sipas ankesave të bashkiakëve të majtë me urdhër të kryetarit të tyre, sjell një tjetër surprizë, sepse shifrat kanë inatin të mos binden, duke saktësuar se ka lënë pa përdorur deri në fund të muajit të shkuar 45 për qind të fondeve të akorduara nga buxheti. Me këtë raport ekonomik kryebashkiaku nxjerr zbukurimet e vitit të shkuar duke u qarë për mungesë fondesh, ndërkohë që një sekondë më vonë lajmëron ardhjen e 100 akrobatëve më të mirë të botës në Tiranë. Zot na mbaj veshët në kemi dëgjuar mirë i thonë kësaj, se nuk ndodh që asnjë nga akrobatët të jetë vullnetar i urdhrit të shenjtores “Nënë Tereza” që zbret në Shqipëri se këtu u tha Plaku i Vitit të Ri këtë herë të punojnë falas. Ai që i sjell ka menduar gjatë për të, se si mbetet ta thotë sërish një nga zëdhënësit e bashkisë ose të Partisë Socialistë të tkurrur. Ka apo jo protestues socialistë dhe demokratë apo ambasadorë të vendeve mike korrupsion këtu? Duhet të marrim një përgjigje nga institucionet, të protestojmë për këtë nuk është kurrë keq. Ndaj them se Rama ka rënë në hall me protesta e pa protesta, sepse duke qëndruar në rrugë justifikon veten e jo të tjerët që po e sulmojnë gjoja politikisht?
Kjo nuk është më përrallë që hahet e dëgjohet!!!