Akademia e Arteve, prezanton projektin "Ura nën tri harqe"
Bashkëpunimi mes shkollave të formimit të lartë artistik sjell në Akademinë e Arteve në Tiranë projektin "Ura nën tri harqe" për tre ditë radhazi. Një seri performancash artistike, ekspozita të përbashkëta, trajnim e me protagonistë studentë e profesorë të Universitetit të Prishtinës, Tetovës e Akademisë së Arteve do të zhvillohen si "një kontribut për një art unik kombëtar me fizionomi dhe strukturë të konsoliduar". Aktivitetet kanë nisur dje me ekspozitën në Galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore. Rreth kësaj ekspozitë Ermirë Hoxha, pedagog në artet pamore në Akademinë e Arteve ka theksuar se “Ekspozita “Ura me tre harqe” është pjesë e aktivitetit, i cili mbledh punimet më të mira të studentëve të Fakultetit të Arteve Pamore të Tiranës, Akademisë së Prishtinës dhe Fakultetit të Arteve të Tetovës. Janë tre institucione shqipfolëse të cilët një herë në vit sjellin punimet më të mira të degëve të ndryshme të muzikës, artit skenik dhe pamore për të ndërtuar së bashku aktivitete të ndryshme”. Janë rreth 40 studentë që marrin pjesë me 70 punimet e tyre dhe janë në mediume të ndryshme si, instilacione, printime, tezgjah, grafike, video, punime në mermer, piktura vaji, akuarel, piktura murale, mozaikë etj. Ky është edioni i dytë që Akademitë e Arteve mblidhen dhe prezantohen në një mozaik. Edicioni i parë u organizua në Prishtinë dhe pati një bashkëpunim frytdhënës. “Në këtë edicion të dytë bashkëpunimi është zgjeruar dhe ka kaluar edhe tek Fakulteti i Muzikës dhe i Artit Skenik dhe vitin tjetër shpresojmë të jetë në Tetovë”, - ka theksuar pedagogu Ermir Hoxha. Sot gjatë gjithë ditës, do të bëhet fjalë për kinemanë. Do të shfaqen disa filma të shkurtër nga studentët e regjisë së filmit dhe referon mbi dialogun në skenarin e filmit, regjisori Aqif Mulliqi. Ky aktivitet me siglën “Art nën tri harqe” do të vazhdojë deri më 2 qershor.
1 qershori, sot aktivitete artistike e kulturore për fëmijët
1 Qershori njihet në mbarë botën si festa e fëmijëve. E sigurisht që në këtë ditë të tyren përveç dhuratave të ndryshme, prindërit, mësuesit, të afërmit apo edhe vetë institucione të ndryshme shtetërore organizojnë për aktivitete artistike e kulturore jo vetëm për t`i argëtuar ata, por mbi të gjitha për t`i bërë ata protagonistë të në këtë ditë të veçantë. Kështu Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë ka përgatitur me këtë rast zhvillimin e një sërë aktivitetesh duke filluar prej orës 9, së ditës sotme me një organizim para sheshit të Teatrit Kombëtar. Ndërkohë që në ambientet e jashtme të kësaj qendre janë të vendosura stenda me libra për fëmijë, që do të ofrohen në shitje për ta me një çmim më të arsyeshëm. Gjithashtu në këto mjedise mendohet të ketë edhe stenda me pije freskuese për fëmijët e pranishëm në këtë ditë që është festa e tyre. Piktorët e vegjël të cilët shoqërohen me rreth 6 personazhe (maskota) do të çelin një ekspozitë me tematikën “ 1 Qershor Festa Jonë”, por tingujt muzikorë për fëmijë do të jenë hapja e aktivitetit të ditës ndërkombëtarë të fëmijëve, ku në shesh do jenë të vendosur piktorët e Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë me kavaletat duke pikturuar... Pra, konkretisht nga ora 9 deri në 10 sot i jepet përparësi piktorëve të vegjël që pikturojnë dhe do të jetë një kolonë zanore me këngë për fëmijë që do afrojnë dhe publikun dhe sa më shumë fëmijë në ditën e tyre të festës. Në orën 10 do të organizohet një koncert me këngë të Festivalit të 47-të këngës për fëmijë Tiranë dhe valle të larmishme, si dhe personazhet e kukullave të cilët do të prezantojnë duke kryer funksionin e elementit lidhës si dhe do të improvizojnë lojëra për fëmijë duke bashkëvepruar me ta duke krijuar një atmosfere gjallëruese për fëmijët e pranishëm. 50 fëmijë të korit të QKKF dhe grupi i baletit do të argëtojnë shumë fëmijë nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit dhe të ftuar. E ndërkaq më mesditë do të shfaqet pjesa e titulluar “Miss Pylli”, e cila në fakt mbyll programin e paradites në sheshin e TK nga QKKF, për të vijuar ditën dhe festimet në City Park mbasdite, ku në galerinë kryesore prej orës 18.00– 19.00 do të ketë sërish një program me këngë nga Fest i 47 –të i fëmijëve numra koreografik dhe valle, nga qendra e fëmijëve, e gërshetuar me personazhet e teatrit të kukullave (maskota). Ndërkohë që në galerinë kryesore nga ora 19.00– 20.00 ‘Scuola danca Mimosa’ do të japë një performancë kërcimi me fëmijë të moshave të ndryshme për të vijuar më pas në galerinë kryesore nga ora 20.00– 21.00, me shfaqjen e baletit kontemporan “Hirushja”. Përgjatë gjithë pasdites,nëpër qendër do te ketë në hapësira të ndryshme kohore, ambulante me tullumbace formues, facepainting, akrobat mbi kambaleca dhe maskota nga cirku i Tiranës.
1 Qershor 2010