Thaçi premton mbështetje në luftën kundër korrupsionit
Institucionet vendore, prokuroria, policia, agjencia antikorrupsion duhet të kenë rol udhëheqës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të kenë mbështetje të qeverisë. Kështu ka deklaruar ditën e djeshme kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Pas takimit që Thaçi pati me ministrinë e punëve të brendshme Bajram Rexhepin, me kryeprokurorin e Kosovës Ismet Kabashin dhe shefin e policisë Behar Selimin, u tha se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera do të jenë udhëheqës të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri Thaçi ka thënë se do të ndihmojnë prokurorinë që të ngrejë kapacitete për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ai me këtë rast ka thënë se toleranca ndaj këtyre dukurive do të jetë zero dhe se do të jenë në koordinim edhe me EULEX-in sa i përket luftës së këtyre dukurive por se sipas tij institucionet e Kosovës duhet të kenë rol udhëheqës në këtë luftë. Ndërsa kryeprokurori i Kosovës Ismet Kabashi, ka thënë se brenda këtij viti do të vërehen rezultatet e hetimeve të cilat janë inicuar qoftë nga Kuvendi i Kosovës, nga mediat apo edhe faktorë të tjerë lidhur me luftën që po e bënë prokuroria e Kosovës. Me këtë rast ai ka thënë se së fundmi janë koordinuar edhe punët me policinë e Kosovës sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kosovë, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta jep dorëheqjen
Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Nesrin Lushta, ka dhënë dorëheqje për shkaqe shëndetësore. “Kryetarja e KQZ-së Nesrin Lushta, dha dorëheqje nga posti i kryetares. Në një takim me anëtarët e KQZ-së, Lushta i informoi se jep dorëheqje për shkaqe shëndetësore”, thuhet në një komunikatë për shtyp nga KQZ-ja. Para disa muajsh Lushta kishte thyer këmbën dhe që nga atëherë nuk ishte paraqitur në punë. Në fillim të vitit, Lushta u emërua nga presidenti i Kosovës anëtare e Gjykatës Supreme. Emërimi i saj u komentua si jo i drejtë pasi ajo mbante dhe postin e kryetares se KQZ-së.
SHBA
Qeveria: Rrjedhja e naftës në Meksikë, deri në gusht
Qeveria amerikane ka bërë të ditur se në Gjirin e Meksikës do të derdhen në det edhe për muaj të tërë sasi të mëdha nafte. Pas dështimit të operacionit të ashtuquajtur “Top Kill” nafta mund të derdhet në det në thellësi 1.500 m nëpërmjet çarjes në rastin më të keq deri në fund të gushtit, deklaroi Karol Brouner, këshilltarja e presidentit Barak Obama për çështje energjetike. Ajo iu referua të dhënave të koncernit British Petroleum (BP), sipas të cilave shpimet shtesë për të ulur derdhjen e naftës do të arrijnë që ta ndalojnë atë plotësisht deri në fund të gushtit.
Gjermani, presidenti Kohler jep dorëheqjen
Presidenti gjerman Horst Kohler dha dorëheqjen nga posti për arsye të deklaratave të tij të diskutueshme mbi Afganistanin.
Akuza se ai kishte përkrahur angazhime antikushtetuese të ushtrisë gjermane për të siguruar interesat ekonomike është tërësisht e papërligjur, tha Kohler dje në Berlin. Sipas presidentit, këtu mungon respekti i domosdoshëm kundrejt postit më të lartë shtetëror. Gjatë leximit të deklaratës së shkurtër presidenti i kishte sytë me lot dhe atij i iku pjesërisht zëri.
Kohler u rizgjodh para një viti edhe për një mandat të ri pesëvjeçar.
Guantamala
Cikloni tropikal “Agatha” shkakton 82 të vdekur
Si pasojë e një cikloni tropikal, e para për këtë vit, në Amerikën Qendrore kanë humbur jetën të paktën 100 njerëz. Vetëm në Guatemala u njoftua për 82 viktima dhe më shumë se 110.000 njerëz u vendosën në siguri. Në El Salvador, sipas të dhënave më të fundit të autoriteteve vendore, kanë humbur jetën të paktën 11njerëz, dhe po ashtu në Honduras. Një numër njerëzish konsiderohen të humbur. Në këto shtete është vendosur gjendje e jashtëzakonshme. Cikloni "Agatha" u shoqërua nga stuhi të dendura, rrëshqitje të tokës dhe përmbytje.
Përgatiti: Blerina Olldashi
1 Qershor 2010