Izraeli sulmon anijet e ndihmave, 19 aktivistë të vdekur
Të paktën 19 pasagjerë të flotës ndërkombëtare të aktivistëve pro palestinezë që po drejtoheshin për në Rripin e Gazës kanë mbetur të vrarë gjatë sulmit të kryer nga komandot izraelite. Lajmi fillimisht u bë i ditur nga televizioni privat izraelit “10”.
Ushtria izraelite tha se oficerët e tyre u sulmuan me zjarr, thika dhe shkopinj, ndërsa ata u ulën në anije nga helikopterët. Forcat e armatosura hipën në anijen më të madhe gjatë natës duke u përleshur me rreth 500 vetë në bord. Sulmi ndodhi rreth 64 km në det në ujëra ndërkombëtare.
Qeveria
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, qeveria izraelite është justifikuar se komandot ishin sulmuar me “zjarr”, si dhe me thika dhe objekte të mprehta. Zëvendës ministri i Jashtëm, Dani Ajalon, tha se organizatorët e këtij aksidenti kishin lidhje me terrorizmin ndërkombëtar. “Armata e urrejtjes dhe dhunës që mbështet organizatën terroriste të Hamasit ishte provokim i paramenduar. Organizatorët njihen mirë për lidhjet e tyre me xhihadin botëror, Al Kaidën dhe Hamasin. Ato kanë një histori të trafikimit të armëve dhe terrorit vdekjeprurës”, tha Ajalon.
Flota me 10.000 tonë ndihma humanitare dhe pajisje për rindërtim, ishte nisur nga Turqia, ndërsa të dielën nga Qiproja. Në anije ndodheshin rreth 700 aktivistë, kryesisht nga Turqia.
Gjatë gjithë javës Izraeli që mban të pushtuar dhe kontrollon ujërat territoriale të Gazës kishte bërë të ditur se nuk do të lejojë anijet të kalojnë. Ai e ka quajtur flotën një lëvizje politike të lirë dhe tha se ata që janë në bord do të çohen në Izrael dhe më pas do të gjykohen.
Reagimet
Protesta të fuqishme ndërkombëtare janë zhvilluar për shkak të ndërhyrjes së komandove të Izraelit në flotën e anijeve me ndihma për Gazën, me ç’rast u vranë të paktën 19 aktivistë. Nënsekretari i ministrisë së Jashtme turke, Salim Jenel, tha se Ankaraja po e tërheq ambasadorin e saj nga Izraeli, dhe ka bërë thirrje për mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit. Jenel tha se ambasadori izraelit është paralajmëruar për “dëmtim të pakthyeshëm” të marrëdhënieve dypalëshe. Ai i hodhi poshtë pohimet e Izraelit se anijet humanitare turke, të cilat ishin inspektuar nga një vend i NATO-s, mund të kenë trafikuar armë.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun tha se ai është “i shokuar” nga sulmi. Ndërkohë, dhjetëra mijë njerëz protestuan në rrugët e Stambollit. Greqia u tërhoq nga stërvitjet ushtarake me Izraelin dhe e anuloi vizitën në Athinë të ushtarakëve të lartë izraelitë. Në Bruksel, ambasadorët e 27 vendeve të Bashkimit Europian zhvilluan dje një mbledhje të jashtëzakonshme, ndërsa kryediplomatja, Kethrin Eshton i kërkoi Izraelit hetime të plota”.
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dënon sulmin izraelit
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj sulmit të komandove izraelite, të cilat sulmuan gjashtë anije me aktivistë ndërkombëtarë duke lënë të vdekur 19 prej tyre. Anijet po transportonin ndihma humanitare në drejtim të Rripit të Gazës, kur u sulmuan nga forcat ushtarake izraelite dhe si pasojë gjetën vdekjen një numër civilësh e u plagosën disa të tjerë. MPJ e konsideron këtë sulm si të pajustifikueshëm dhe u bën thirrje autoriteteve izraelite të hetojnë menjëherë në lidhje me këtë ngjarje, e cila ka tensionuar stabilitetin rajonal dhe me gjerë.
1 Qershor 2010