Akademia e FA përgënjeshtron akuzat për pagesat ndaj presidentit Begaj: Ishin detyrime të prapambetura për kërkim shkencor

Akademia e Forcave të Armatosura (AFA) ka reaguar sot ndaj akuzave të fundit mediatike në lidhje me pagesat e kryera në drejtim të Presidentit të Republikës dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj. Përmes një deklarate zyrtare, AFA përgënjeshtroi akuzat, duke sqaruar se pagesat ndaj Begajt dhe personelit tjetër akademik ishin shlyerje të detyrimeve të prapambetura financiare për kërkim dhe angazhim shkencor.
Angazhimi si mjek ushtarak dhe pedagog
Akademia theksoi se Presidenti Bajram Begaj, në funksionet e tij të mëparshme si mjek ushtarak, ka qenë pjesë e ekipeve të kërkimit shkencor ushtarak dhe ka udhëhequr tema shkencore të ciklit të tretë të studimeve (Doktoratë) pranë AFA-s.
Ky angazhim, së bashku me një staf prej 15 profesorësh, ka ndodhur gjatë periudhës 2013-2018.
“Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, në funksionet e tij të mëparshme si mjek ushtarak, ka qënë në të kaluarën pjesë e ekipeve të kërkimit shkencor ushtarak së bashku me një staf akademik prej 15 profesorësh,” thuhet në deklaratë.
Sqarim mbi detyrimet e prapambetura
Lidhur me pagesat specifike që u referohen mediat, AFA sqaroi se ato nuk janë pagesa aktuale, por shlyerje të detyrimeve financiare.
“Për angazhimin e stafit akademik gjatë viteve 2013–2018, Akademia e Forcave të Armatosura, në përputhje me legjislacionin në fuqi (…) ka shlyer gjatë viteve 2022 dhe 2024 detyrimet e prapambetura financiare ndaj të gjithë personelit akademik të përfshirë në këtë proces.”, thuhet në njoftim.
Sipas Akademisë, procesi i shlyerjes është kryer në mënyrë të barabartë, transparente dhe është i dokumentuar plotësisht, duke qenë i verifikueshëm nga çdo institucion kompetent.
Në përfundim, AFA ftoi median “të ushtrojë misionin e saj mbi bazën e fakteve të verifikuara, duke shmangur keqinformimin e opinionit publik,” duke shprehur gatishmërinë për çdo verifikim nga organet përgjegjëse.
/rtsh.al/