E Diel, 1 Nëntor 2026

Akademia e Shkencave i jep lamtumirën akademikut Mark Tirta, 6 dekada kontribut në etnologjinë shqiptare

TIRANË, 28 gusht/ATSH/  Akademia e Shkencave e Shqipërisë zhvilloi sot një ceremoni solemne në nderim të akademikut emeritues Mark Tirta, një prej figurave më të shquara të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare, i cili u nda nga jeta së fundmi.

Në ceremoni morën pjesë drejtues dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave, familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të akademikut Tirta. Aktiviteti u hap me një minutë heshtje në nderim të kujtimit të tij.

Sekretarja shkencore e Akademisë, akad. Anila Hoda, vlerësoi kontributin e Tirtës në kërkimin, dokumentimin dhe interpretimin e kulturës materiale dhe shpirtërore shqiptare, duke theksuar se për më shumë se gjashtë dekada ai ia kushtoi jetën studimit dhe punës në terren.

Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Vasil Tole, e cilësoi Mark Tirtën një mbledhës, dokumentues dhe interpretues të rëndësishëm të trashëgimisë shqiptare, i cili i dha kujtesë shkencore një pjese të trashëgimisë që rrezikonte të humbiste.

“Përveçse etnolog, akad. Mark Tirta ishte mbledhës, dokumentues dhe interpretues i trashëgimisë, njeriu i bibliotekave dhe i terrenit që i dha kujtesë shkencore një pjese të madhe të trashëgimisë që rrezikonte të humbiste”, u shpreh Tole.

Gjatë ceremonisë, studiues dhe drejtues të institucioneve shkencore vlerësuan gjithashtu kontributin e Tirtës në etnologji, etnografi, albanologji, studimin e traditave, mitologjisë dhe besimeve popullore.

Kryetari i Komisionit të Përhershëm të Antropologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore, Artan Shkreli, u ndal te puna e Tirtës në terren, veçanërisht në malësitë e Veriut të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa theksoi rëndësinë e promovimit dhe transmetimit të veprës së tij te brezat e rinj.

Drejtori i Institutit të Antropologjisë, prof. asoc. dr. Olsi Lekaj, e cilësoi Tirtën një nga personalitetet më të shquara të etnografisë dhe albanologjisë shqiptare dhe pionier në studimin e traditave, mitologjisë dhe besimeve popullore.

Në emër të familjes, vajza e akademikut shprehu mirënjohjen për Akademinë e Shkencave, duke sjellë në vëmendje përkushtimin e tij si studiues dhe rolin e tij si figurë familjare e përkushtuar.

Akademik Mark Tirta ishte anëtar i Akademisë së Shkencave që prej vitit 2008. Veprimtaria e tij shkencore, e shtrirë në më shumë se gjashtë dekada, përbën një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin dhe studimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

1 nga 5

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›