E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Shkencave kërkon kryesi të re

Hapet fushata për zgjedhjen e kryesisë së re të Akademisë së Shkencave. Kryetari aktual, Teki Biçoku, i cili ishte zgjedhur i përkohshëm në këtë post, ka dalë dje në një konferencë për shtyp për të bërë të ditura procedurën e konkurrimit. Afati i fundit për pranimin e kërkesave të akademikëve që duan të konkurrojnë në këtë post është data 17 janar, ndërkohë që zgjedhjet do të bëhen në datën 7 shkurt. Sipas Biçokut, të gjithë akademikët e rregullt(të cilët janë të gjithë nën moshën 75-vjeçare) dhe akademikët e përhershëm kanë të drejtë të konkurrojnë për postin e kryetarit. Pas procesit të reformimit, në zgjedhjet e 4 dhjetorit të 2008-ës, si akademikë të përhershëm u zgjodhën Shaban Demiraj dhe Teki Biçoku. Ndonëse duheshin tre të tillë, një nuk mori votat e mjaftueshme. Ndërkohë që anëtarët e asociuar të Akademisë, nga të cilët deri tani janë përzgjedhur 11 nga 15 që duhet të jenë, nuk kanë të drejtë të konkurrojnë për kryetar të Akademisë së Shkencave, por mund të konkurrojnë për poste të tjera si zëvendëskryetar, sekretar shkencor dhe për postin e dy kryetarëve të seksionit. Sipas Biçokut, për zgjedhjen e kryesisë së re të Akademisë së Shkencave, në zgjedhjet e 7 shkurtit kanë të drejtë të votojnë të gjithë. Kryetari i ri do të qëndrojë për një mandat 4-vjeçar, ndërkohë që postet e tjera e kanë mandatin 5-vjeçar. "Akademia e Shkencave i ka marrë të gjitha masat për organizimin e fushatës, duke vënë në dispozicion të konkurrentëve sallat e Akademisë, faqen e internetit, si dhe takime me mediat, për të paraqitur platformat e tyre në lidhje me zhvillimin dhe drejtimin e Akademisë. Në bazë të Ligjit 9655,

kandidatët kanë të drejtë të konkurrojnë vetëm për një post", ka theksuar Biçoku, të cilit si anëtar i përhershëm i jepet e drejta të konkurrojë sërish për të qenë në krye të Akademisë. Ndërkohë që nuk do ta kenë këtë mundësi akademikët që sipas ligjit të reformimit u përjashtuan nga Akademia, sepse i kishin kaluar të 75-at. Teki Biçoku, kryetari aktual, u dekretua nga Presidenti Topi për një mandat të përkohshëm më 22 shkurt të 2008-ës. Më parë, Asambleja e Akademisë zgjodhi në krye të Akademisë, Rexhep Meidanin, por ai nuk njoh si i tillë. Zgjedhja e kryesisë së re të Akademisë së Shkencave, teorikisht shënon edhe përfundimin e procesit të reformimit. Një proces, i cili shkaktoi një debat të gjerë në radhët e akademikëve dhe u pasua nga reagime të ashpra të tyre. Konflikti midis Akademisë së Shkencave dhe qeverisë nisi më 14 nëntor të vitit 2007, kur Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin e ri "Për Akademinë". Shkrirja e instituteve kërkimore të Akademisë në muajin e fundit të vitit 2007 ishte pasoja e parë e këtij reformimi shkencor. Akademisë iu shkëputën institutet kërkimore shkencore që ishin në varësi të saj. Gjashtë institute krijuan Qendrën e Studimeve Albanologjike, e cila edhe sot ka një status ende të papërcaktuar përfundimisht e që varet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Akademikët dolën kundër qeverisë në këtë pikë duke u shprehur se universitetet tona nuk ishin gati dhe nuk kishin kushte të përshtatshme për zhvillimin e kërkimit shkencor në strukturat e tyre. Për më tepër, me këtë hap, Akademia e Shkencave u kthye më së shumti në një institucion honorifik. Reformimi i Akademisë së Shkencave ngjalli një debat edhe më të madh midis akademikëve dhe qeverisë edhe kur qeveria çoi në Kuvend ndryshimet në ligjin e parë që ishte miratuar, por që ishte bllokuar për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Fillimisht, debati u përqendrua në kriterin që vendosej në draft, i cili përcaktonte moshën 70 vjeç si kufirin kur përfundonte anëtarësia në Akademi. Pas kundërshtimit të akademikëve dhe të opozitës, kjo moshë u caktua 75 vjeç. Por sërish, në bazë të këtij kriteri shumë akademikë të njohur si Dritëro Agolli, Shaban Demiraj, Kristo Frashëri e të tjerë të njohur nuk kishin më të drejtë për të qenë anëtarë të Akademisë. Por qeveria e miratoi ligjin duke shtuar se në Akademi do të kishte 3 anëtarë të përhershëm dhe tre nderi që do të zgjidheshin edhe pse mund të ishin mbi 75 vjeç. Zgjedhja e kryesisë së re nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim të madh në zhvillimin e Akademisë së Shkencave, e cila tashmë merret kryesisht me projekte shkencore të vetat.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›