Rama: Sheshi, peng i shpronësimeve

Nga Blerina Ahmetaj
Tiranë, 1 mars, NOA - Bashkia e Tiranës do të nisë shumë shpejt projektin për rikonstruksionin e sheshit Skënderbej në qendër të kryeqytetit të vendit.
Por për të përballuar fluksin e trafikut dhe për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve gjatë kësaj periudhe që do të punohet për restaurimin e këtij sheshi, ka nisur puna për rikonstruksionin e katër rrugëve të tjera Abdi Toptani, Bardhik Biba, Urani Pano dhe rruga pas Pallatit të Kulturës.
Gjatë inspektimit të punimeve në këto rrugë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama i bëri thirrje qeverisë që të shpronësojë rrugën që hap arterien e Unazës së Vogël, pranë godinës së Insig-ut, duke mundësuar kështu devijimin e të gjitha makinave të cilat sot kalojnë detyrimisht në sheshin Skënderbej.
Projekti për rehabilitimin e sheshit Skënderbej është përzgjedhur përmes një konkursi kombëtar dhe do të financohet nga qeveria kuvajtiane dhe Bashkia e Tiranës.
Ai parashikon kthimin e kësaj hapësire në një shesh për këmbësorë dhe biçikleta.
n.e/NOA