Ruçi merr timonin, PS zgjeron

Partia Socialiste zbardh një pjesë të rregullores së grupit parlamentar, ndërsa pritet që kjo strukturë e rëndësishme vendimmarrëse të mandatojë drejtuesit. Pas thyerjes së bojkotit në seancën e ditës së enjte, partia kryesore e opozitës ka marrë masat e nevojshme për strukturimin e grupit parlamentar, duke caktuar mes të tjerash kryetarin e grupit, nënkryetarët dhe sekretarin. Pritet që sot ose nesër (ende nuk ka një datë fikse) grupi parlamentar të zhvillojë një mbledhje të posaçme, ku të mandatojë Gramoz Ruçin si kryetar dhe të zgjedhë dy nënkryetarët (më të mundshmit janë Pandeli Majko dhe Erion Braçe) bashkë me sekretarin (flitet mes Taulant Ballës dhe Damian Gjiknurit). Mësohet se posti i nënkryetarit të Kuvendit që i takon PS-së të caktohet midis disa emrave, ku më të kuotuarit janë Valentina Leskaj dhe Arta Dade. Veç të tjerash pritet që të ketë një qëndrim në lidhje me letrën që Kryetarja e Kuvendit ka dërguar dje në adresë të kësaj partie, ku i vë në dijeni për procedurat që do të ndjekë Kuvendi për dy nismat ligjore të dorëzuara tashmë. Për të futur në axhendë dy projektligjet duhet që grupi parlamentar socialist të ketë në konferencën e kryetarëve përfaqësuesin e tij, që në këtë rast është kryetari i grupit.
RregullorjaBurime nga Partia Socialiste zbardhën dje një pjesë të pikave të rregullores së re, mbi bazën e së cilës do të funksionojë grupi parlamentar. Në tërësi, rregullorja e re synon mirëfunksionimin e grupit, kryesisht te veprimtaria e tyre në Kuvend, por edhe mbi qëndrimet politike. Së pari është qartësuar se asnjë deputet nuk mund të mungojë. “Nuk lejohen mungesa as në seancat plenare, as në mbledhjet e grupit parlamentar”, thuhet në draftin e përgatitur nga selia rozë. Një tjetër ide e paracaktuar është krijimi i Kryesisë së grupit parlamentar. Sipas propozimit, në të bëjnë pjesë kryetari i grupit, nënkryetarët apo sekretarët e grupit parlamentar, por edhe kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve parlamentare sipas ndarjes. Një rregull i fortë është vendosur për ata që duan të flasin në seanca parlamentare. “Asnjë deputet që nuk është planifikuar në listë nga Kryesia e grupit paraprakisht, nuk mund të flasë në seancë”, thuhet në këtë draft. Nga ana tjetër, deputetët do të jenë edhe përpara një testimi për performancën e tyre. “është detyrueshme për vlerësimin e performancës së deputetëve të realizojnë një numër interpelancash, apo të shkruajnë artikuj e të japin intervista në media”, është një tjetër pikë.
QëndrimiNdërsa PS-ja është e impenjuar të formësojë grupin e saj parlamentar, nga ana tjetër selia rozë vijon të jetë e fokusuar te çështja kryesore, ajo e kërkesës për transparencën.
Deputetja socialiste, Valentina Leskaj, u shpreh se Partia Socialiste ka pritur këto ditë një përgjigje serioze për ofertën e bërë javën e shkuar në Parlament, ofertë që i kontribuon zgjidhjes së krizës, po deri sot nuk ka pasur një të tillë.
“Mënyra e sjelljes në seancën e Parlamentit nga drejtuesit më të lartë të PD-së, reagimi i Kryeministrit dhe refuzimi i tij, për të dhënë një përgjigje që do ta fuste krizën në rrugën e zgjidhjes, janë prova e qartë e mungesës së vullnetit politik për një hetim të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të qershorit”, tha Leskaj, ndërsa shtoi se Kryeministri u fsheh përsëri pas gjykatave për të justifikuar mungesën e vullnetit për zgjidhjen e krizës. “Me qëndrimin refraktar e shpërfillës ndaj ofertës vullnetmirë, serioze e ligjore të PS-së, me përpjekjen e sforcuar për ta futur nismën në rutinën e kalendarit të Parlamentit, Kryeministri ka kontribuar në radikalizimin e situatës”, sqaroi deputetja socialiste.
#