E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobat, 800 milionë lekë borxh policisë

Vetëm gjatë një viti u krijua debiti prej 112 milionë lekësh nga 1009 persona

Mbledhja e gjobave të qarkullimit mbetet një shqetësim jo i vogël për policinë, pasi dëmi i shkaktuar deri më sot ndaj shtetit arrin në 800 milionë lekë të reja. Ky është një debit që ka dalë gjatë kontrollit të bilancit përmbledhës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe pjesa më e madhe i përket qarkullimit rrugor. Ai është akumuluar në vite, por vetëm gjatë bilancit të fundit ka rezultuar se në një vit policisë i kanë mbetur borxh 1009 persona, me një vlerë totale prej 112 milionë lekësh. Për këtë, edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar që t’i jepet zgjidhje, ndërkohë që rezulton se borxhet më të mëdha janë në Tiranë, Fier dhe Durrës.

Debiti i shkaktuar

Gjatë kontrollit të bilancit përmbledhës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nga KLSH-ja, rezultoi se debitorët ndaj policisë janë rritur nga viti në vit. Vetëm gjatë kontrollit të fundit ka rezultuar se në një vit debiti ndaj policisë është rritur me një vlerë prej 112 milionë e 755 mijë lekësh, e shkaktuar nga 1009 persona që rezultojnë debitorë. Ky rezultat ka ardhur nga kontabilizimi i gjobave të qarkullimit, që në momentin e vënies së gjobës. Megjithatë, kjo është pjesa më e vogël e odisesë që ka zgjatur në vite. Sipas të dhënave, në llogarinë totale të debitorëve vlera ka arritur në 803 milionë e 316 mijë lekë. Për këtë vlerë, tre drejtori policie në qarqe përbëjnë edhe dëmin më të madh të shkaktuar, të cilat janë Tirana, Fieri dhe Durrësi. Sipas të dhënave, vlerën më të madhe në krijimin e debitorëve e ka Tirana, me 369 milionë e 516 mijë lekë. Pas saj vjen Fieri, me 66 milionë e 984 mijë lekë, i ndjekur nga Durrësi me 61 milionë e 556 mijë lekë. Të tria drejtoritë e lartpërmendura të policisë përbëjnë 62% të shumës së krijuar deri në analizën e fundit të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ndërsa 32% e debitit, në vlerë 305 milionë e 260 mijë lekë, ka ardhur nga strukturat e tjera të policisë.

Borxhe të tjera

Borxhet ndaj policisë nuk kanë qenë vetëm nga gjobat e qarkullimit, pavarësisht se zënë pjesën më të madhe. Sipas të dhënave, gjatë vitit 2008, kur është bërë kontrolli i fundit, arkëtimet kanë rezultuar se kanë qenë 595 milionë e 927 mijë lekë, kundrejt 112 milionë e 755 mijë lekë që nuk janë mbledhur. Por, veç tyre, debite janë shkaktuar edhe nga paradhëniet për shërbimet, që rezultojnë në vlerën 9 milionë e 674 mijë lekë. Vlera e konsiderueshme e kësaj llogarie vjen nga pagesat që u bëhen punonjësve, të cilët titullohen oficerë kontakti në konsullatat tona në shtete të ndryshme. Ndërsa aparati i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, deri në fund të vitit 2007, debitorët i ka pasur në vlerën 8 milionë e 727 mijë lekë, që gjatë vitit 2008 kanë arkëtuar shumën prej 4 milionë e 879 mijë lekësh. Por, në fund të vitit 2008 ka mbetur sërish debiti prej 8 milionë e 727 mijë lekësh, për shkak edhe të borxheve të shkaktuara nga ky vit. Në numër fizik kanë 288 debitorë, prej të cilëve 99 janë krijuar në vitin 2007, 81 në vitin 2008 dhe 108 të tjerë janë të mbartur që kur Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ishte pranë Ministrisë së Brendshme.

Shkaqet dhe masat

Një ndër shkaqet kryesore të krijimit të borxheve ndaj policisë është evidentuar se në arkëtimin e debitorëve të ndryshëm ka pasur raste të pamundësisë së shlyerjes. Këtu vihen në dukje rastet e largimit jashtë shtetit të personave që figurojnë në librat e llogarisë debitore, por ka edhe debitorë të mbartur nga vitet e mëparshme. Gjatë analizës që iu bë këtyre llogarive janë evidentuar edhe pasaktësi, që sjellin mosshlyerjen e borxheve. Në lidhje me këtë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat ka të evidentuar në llogarinë e debitorëve vlerën prej 2 milionë e 939 mijë lekësh, që është detyrim nga viti 1997, dalë nga auditivet e kryera në këtë drejtori, për të cilin nuk kanë dalë personat përgjegjës. Gjithashtu, Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë ka të evidentuar si “debitorë të tjerë” vlerën prej 784 mijë lekësh, që është detyrim që nga viti 1997, dalë nga auditivet e kryera në vitin 2002, për të cilin nuk kanë dalë personat përgjegjës për zhdëmtim. Ndërsa Drejtoria e Policisë së Qarkut në Tiranë ka të evidentuar vlerën 276 mijë lekë, me emërtimin tatim page, pa u analizuar sipas personave përfitues dhe vlerën 7 milionë e 927 mijë lekë si detyrime të lindura para vitit 1998, të mbartura nga bashkimi i komisariateve të Tiranës në vitin 1998, që nuk janë analizuar për secilin person përgjegjës. Këto vlera janë mbartur në vite nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë. Sa më sipër, KLSH u ka lënë detyrë këtyre njësive shpenzuese, që në mënyrë urgjente t’u bëjnë një analizë të hollësishme fenomeneve të sipërcituara, duke përcaktuar personat debitorë, me qëllim vënien në arkëtim të tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›