E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademikët shqiptarë: Do të largohemi nga ASHAM-i

Profesori Ramiz Abdyli ka deklaruar për mediat, se nuk e sheh veten në atë redaksi dhe Akademi, për shkak se nuk përfillin ansjë kërkesë të tij.

“Do të pres deri në shterjen e argumenteve dhe më pas do të marr vendimin. Të gjitha kërkesat që kam dërguar deri më tani nuk janë respektuar”, ka thënë profesori Abdyli.

Ai njoftoi se si Redaksi e re kanë marrë vendime që të ndryshohet emri i enciklopedisë, por ky vendim nuk është përfillur nga ASHAM-i. “Po ashtu, morëm vendim që të ndalohet shitja e Enciklopedisë fyese por ajo edhe më tej me të madhe po shitet në treg. Arsyetimi i tyre është së nuk mund ta ndalojnë për shkak se parapagimet janë bërë që më herët”, tha Abdyli.

Ai shprehet skeptik se në Maqedoni do të ketë enciklopedi të re për shkak të shantazheve të cilat po i bën kryesia e ASHAM-it dhe persona të caktuar në këtë kryesi, të cilët publikisht shprehin albanofobizmin e tyre.

“Unë kam kërkuar një vit për hulumtime dhe për realizimin e tyre kam kërkuar vetëm njëqind mijë euro. Projekti hulumtues parasheh kërkime nëpër shumë qendra evropiane dhe botërore, shumë kjo e cila është vetëm një e katërta e shpenzimeve që janë bërë vetëm për botimin e Enciklopedisë së vjetër. Në ASHAM ka disa struktura që ndoshta kanë fobi ndaj çështjes shqiptare, janë me mentalitet të vjetër dhe nuk mund të rinovohen. Andaj nuk besoj se enciklopedia e re do të mund të bëhet”, deklaroi Abdyli.

Ai vlerësoi se e vetmja rrugë për t’u përfunduar pjesa e enciklopedisë e lidhur me shqiptarët është pavarësia e plotë e akademikëve shqiptarë, të cilët për historinë e shqiptarëve ne duhet të vendosim së bashku me hulumtues nga Shqipëria.

“Nuk besoj se kjo çështje mund të zgjidhet sepse çdo shkronjë të cilën do ta shkruajmë ata do mundohen ta ndryshojnë”, theksoi Abdyli.

Nëse deri në vjeshtë të këtij viti, kryesia e ASHAM-it nuk ka mirëkuptim për kërkesat e anëtarëve shqiptarë, edhe akademiku Alajdin Abazi thotë se do të largohet nga ASHAM-i.

“Deri në vjeshtë të gjithë anëtarët e rinj duhet t’i dorëzojnë punimet dhe analizat shkencore dhe, në rast se nuk ka lëvizje me enciklopedinë e vjetër, çfarë do të kërkojmë më aty ne shqiptarët. Edhe unë edhe zoti Abdyli duhet të presim deri në vjeshtë dhe në rast se nuk përfillen kërkesat tona atëherë nuk mbetet alternativë tjetër”, tha akademiku Abazi.

Redaksia e re, përveç obligimit që të hartojë enciklopedinë e parë të Maqedonisë, ka edhe një detyrë shumë të rëndësishme në kthimin e besimit të qytetarëve shqiptarë, si dhe kthimin e imazhit të këtij institucioni të lartë shkencor para faktorit ndërkombëtar. Ky imazh vlerësohet të jetë rrënuar përtokë pas publikimit të enciklopedisë kontraverse të Bllazhe Ristevskit, e cila në vete ngërthente shumë të pavërteta rreth prejardhjes së shqiptarëve, ndërsa nuk munguan as fjalët ofenduese për NATO-n, SHBA-të dhe ushtarët e tyre të emërtuar si “agresorë”. /start/kr/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›