E Shtunë, 31 Tetor 2026

Server: Beogradi të njohë de facto sovranitetin e Kosovës

Në këtë përfundim arrin analisti i Institutit amerikan për Paqe, Daniel Server. Ky ekspert për Ballkanin, e shoqëron parashikimin e tij me një listë recetash për të shmangur kriza dhe për të përshpejtuar integrimin. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", Server tha se ajo që duhet sqaruar pikë së pari, është se nuk mund të ketë normalizim apo përparim në çështje teknike mes Beogradit dhe Prishtinës, pa pasur një kontakt konkret mes udhëheqësve të të dy vendeve.

Tani janë pjekur kushtet për të analizuar seriozisht situatën dhe për të identifikuar rrugën drejt të ardhmes. Beogradi, thekson analisti Server, është treguar shumë më i hapur këto kohë ndaj çështjes së Kosovës.

“është bërë e qartë se Serbia ka hequr dorë nga presioni ndaj vendeve të tjera për të zhbërë njohjen e Kosovës. Ajo që kërkon të arrijë në këto momente Beogradi, është të negociojë kushte më të mira për vete, më konkretisht për shkëmbim territori. Kjo ide po diskutohet në shumë qarqe politike në Beograd, megjithëse askush në Evropë apo në Shtetet e Bashkuara nuk do të dëgjojë teorinë e ripërcaktimit të kufijve në Ballkan. Por në fund të fundit, këto janë çështje që u përkasin dy vendeve sovrane dhe diskutimi i tyre mund të çonte përpara dialogun Serbi-Kosovë”, deklaron Server.

"E vetmja mënyrë është shqyrtimi i kësaj çështjeje nga të dy palët, Beogradi dhe Prishtina. Dhe faktikisht, në mënyrë që të diskutohet kjo çështje në nivelin dypalësh, duhet që Beogradi të njohë sovranitetin e Kosovës së paku de facto".

Analisti nuk është optimist për ndonjë zgjidhje që mund të dalë nga negociata të tilla. çdo ide për shkëmbim territoresh duhet të shoqërohet me garanci të forta se nuk do të sjellë destabilizim në Bosnje dhe Maqedoni, gjë që është e pagarantueshme, thotë ai.

Megjithatë, thotë Server, për momentin ka rëndësi që Beogradi dhe Prishtina të ulen të diskutojnë për çdo ide të mundshme, përfshirë edhe idenë e ripërcaktimit të kufijve. Rezultati më i vlefshëm i këtyre negociatave, parashikon ai, do të ishte eliminimi i kësaj teze nga lista e zgjidhjeve. “Si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, zgjidhja përfundimtare mbetet integrimi evropian. Ka ardhur koha që udhëheqja politike si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd ta dëgjojë mesazhin e popullatës. Kjo periudhë kërkon guxim, kërkon vendime të vështira politike, që situata konkrete i bën të domosdoshme”, thotë Server.

"është krejt e qartë se shtetasit e Serbisë janë të gatshëm të zgjedhin BE-në, krahasuar me Kosovën. Nuk ka pasur ndonjë anketim në Serbi që të tregojë se Kosova është përparësi kryesore për serbët. Udhëheqja politike e Serbisë i trembet mundësisë që humbja e Kosovës do të dëmtonte perspektivën e tyre politike. Fakti është se kjo udhëheqje duhet të bëjë një zgjedhje".

Pa një zgjedhje të tillë të guximshme, pra pa një normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të flitet për perspektivë evropiane të këtyre vendeve, thotë Server. Sipas tij, nuk ka asnjë mundësi që BE-ja ta importojë këtë problem brenda kufijve të saj. Rruga drejt BE-së, thotë analisti Daniel Server, kalon përmes masave të fqinjësisë së mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›