E Diel, 1 Nëntor 2026

Akademitë, "burimi" i La Liga-s spanjolle

Është më cilësore Akademia e Barcelonës, apo ajo e Realit të Madridit? Me një përgjigje të menjëhershme, zgjedhja duket e thjeshtë: Barça luajti dhe fitoi në finalen e Champions League të zhvilluar gjatë edicionit të kaluar në Romë me 7 futbollistë të ardhur nga ekipet zinxhir që u aktivizuan si titullarë dhe një, i cili hyri në fushë si zëvendësues në minutat e fundit. Të dhëna të frikshme, të cilat tregojnë vëmendjen dhe punën e mirë që katalanët bëjnë me të rinjtë. "Topi i Artë 2009" i fituar nga Leo Mesi, elementi i parë i rritur në klubin "blaugrana" që merr trofeun prestigjioz, dhe vendet 3 e 4 të Ksavit dhe Iniestës, konfirmojnë kualitetin e jashtëzakonshëm të Akademisë së Barcelonës. Në mënyrë paradoksale, një metodë e tillë pune kushton pak: kampionët e Europës investojnë çdo vit rreth 10 milionë euro në sektorin e të rinjve. Shifra është e barasvlefshme me rrogën vjetore të Zlatan Ibrahimoviç, e që mbi të gjitha kap vetëm 3 për qind të të ardhurave të klubit. Reali i Madridit shpenzon 8 milionë euro, vetëm 2 për qind të të ardhurave. Osasuna investon të njëjtën shifër, duke u kushtuar "ekipeve zinxhir" jo më pak se 25 për qind të të ardhurave. Përfitimet? Plot nëntë lojtarë që luajnë nën urdhrat e teknikut Antonio Kamaços në ekipin e parë të Osasunës. Këtyre u shtohen edhe 4 futbollistë që luajnë me Atletik Bilbaon dhe një tek Atletiko Madrid, shitje që kanë sjellë para në arkat e klubit.
Për t‘i kthyer një përgjigje më të detajuar pyetjes së bërë në fillim, analiza e skuadrave në kampionatin spanjoll e publikuar nga "Marca" ofron një këndvështrim të ndryshëm. Reali, që në kontingjent ka pesë lojtarë të rritur në Akademi, Raul, Guti, Kasiljas, Arbeloa dhe Granero (dy të fundit janë riblerë, pasi ishin lejuar më parë të largoheshin), në sezonin 2009-2010 ka 35 lojtarë të shpërndarë në La Liga. Barcelona ndodhet vetëm në kuotën 11. Por, edhe pse "Fabrika" madrilene prodhon kaq shumë, krerët e klubit shpenzojnë shifra të jashtëzakonshme në merkato. Kjo lidhet me faktin se një pjesë e lojtarëve nuk janë në lartësinë e duhur për t‘u bërë të rëndësishëm në "Santiago Bernabeu". Vëzhgimi ofron shifra që rrallë mund të vërehen në një kampionat tjetër: gjysma e skuadrave spanjolle, ka në kontingjent të paktën pesë lojtarë të rritur në Akademi. Atletik Bilbao, që aktivizon vetëm futbollistë baskë ka 12, Barça 10, Osasuna 9, Espanjol 8, Valencia e Malaga 7, Rasing Santander, Sporting Gijon dhe Sevilja 6, Atletiko dhe Real Madrid 5.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›