E Diel, 1 Nëntor 2026

Gilman Lika: Ndiej keqardhje për Vllazninë

Është kthyer në vendlindje për t‘u rehabilituar pas dëmtimit që ka pësuar në Ligën 1 turke (kategorinë e dytë). I ndodhur në Shkodër, për Gilman Likën ishte e paevitueshme që të vizitonte Vllazninë, skuadrën e qytetit ku është rritur dhe ku është formuar si futbollist, ngjyrat e së cilës i ka mbrojtur deri në vitin 2008. Mesfushori i Kombëtares ka shprehur keqardhje për situatën ku ndodhen kuqeblutë e drejtuar nga Roland Luçi, që gjatë këtij sezoni luftojnë për të mbijetuar në Superiore. "Më vjen keq për Vllazninë. Kjo është një prej skuadrave më të rëndësishme në vend, e natyrisht që askush nuk mund të jetë i kënaqur që e sheh në pozita të tilla në tabelë", deklaroi 22-vjeçari. Më tej, ai foli edhe për Kombëtaren: me paraqitjet e bëra, Lika ka fituar një vend fiks në kontingjentin e drejtuar nga Josip Kuzhe, madje "lufton" edhe për një fanellë titullari. "Shpresoj që përfaqësuesja të jetë më e suksesshme në vitin 2010 nga sa ishte në edicionin e kaluar. Tashmë presim të njohim kundërshtarët e eliminatoreve të Euro 2012 dhe më pas drejtuesit dhe stafi do të mund të përcaktojnë objektiva konkretë", nënvijëzoi lojtari. Në fund edhe dy fjalë për Bolusporin, ngjyrat e së cilës i mbron në kampionatin turk: "Kemi një ecuri të mirë në ligën e dytë, por megjithëse renditemi pranë zonës ‘play-off‘, skuadra nuk ka pretendime të mëdha".

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›