E Diel, 1 Nëntor 2026

Fernando Alonso shtyu Shumaherin larg Ferrarit

"Dëshiroj të rikthehem në pistë", ishin fjalët e Mikael Shumaher. "Na vjen keq, por tashmë kemi marrë Fernando Alonson", përgjigjja e Ferrarit. Kjo është me pak fjalë përmbledhja e telenovelës në Formula 1, me kërkesën e ish-kampionit gjerman dhe përgjigjen e drejtuesve të skuadrës "kokëkuqe", që pas aksidentit të Felipe Masës ishin në fazat finale të negociatave për afrimin e Alonsos për Botërorin 2010. Megjithëse Shumaher nuk u bë zëvendësuesi i pilotit brazilian, për shkak të dhimbjeve në qafë, gjatë muajit gusht ai kishte paraqitur synimin që të garonte përsëri. Presidenti Luka di Montexemolo tentoi më kot që të shtonte edhe makinën e tretë në pistat e F.1 (duke diskutuar gjatë me FIA-n dhe FOTA-n), të cilën do t‘ia besonte shtatë herë kampionit të botës. Në momentin kur ky propozim u hodh poshtë, Shumit nuk i mjaftonte vetëm roli i superkonsulentit të prodhimit, duke qenë se Alonso nuk dëshironte ta shihte më si rival. Por, transferimi i Xhenson Baton te MekLareni dhe blerja e BraunGP nga Mercedes, ishin skenari ideal për ambiciet e 40-vjeçarit. Me kalimin e kohës, negociatat morën formë, madje gjatë prezantimit të Mercedes SLS në Emiratet Arabe, pa dashje Niko Rosberg bëri një koment, duke lënë të kuptohej se Shumaher ishte shoku i tij i skuadrës. Në Maranelo ishin të informuar për gjithçka dhe ish-pilotit nuk i është krijuar asnjë pengesë. Montexemolo deklaroi: "Shumi nuk ka asnjë obligim. Është vetëm një mik i mirë, por jo një pjesëtar i skuadrës... Natyrisht që marrëveshja jonë nuk do të ishte më e vlefshme, nëse ai vendos të marrë një drejtim të ndryshëm".
Prej dëshirës së madhe që t‘i rikthehet karrierës si pilot, Shumaher duket se e ka hedhur pas shpine të kaluarën e tij me Ferrarin. Në harkun e disa ditëve, ai pritet të bëjë testime me një makinë Honda të vitit 2007 (që zotërohet nga Mercedes) dhe më pas do të firmosë. Megjithatë, situata nuk është aq e thjeshtë sa mund të duket. Problemi kryesor përbëhet nga kërkesat e ish-pilotit në planin financiar. Prodhuesi gjerman i automjeteve i ka ofruar Shumit 7 milionë euro rrogë në sezon, e njëjta shifër që ishte refuzuar pak kohë më parë nga Baton. Gjithsesi, kërkesa është mjaft e lartë: mediat gjermane theksonin se menaxheri i ish-kampionit, Uilli Veber pretendon 30 milionë euro, plus të drejtat e imazhit. Përpara një situate të tillë, Norbert Haug ka kërkuar kohë për t‘u menduar. Është e vërtetë që rikthimi i Mikael Shumaherit në pistë do të krijonte një interes të madh mediatik, nga e cila do të përfitonte drejtpërdrejt marka, por rroga e kërkuar cilësohet shumë e lartë dhe mbi të gjitha e tepruar për këtë periudhë krize. Sipas gjasave, palët do të ulen në tryezën e diskutimeve për të gjetur një rrugë të mesme, ndërkohë që alternativa për Mercedes janë edhe piloti aktual, Kerpen dhe Hajdfilld.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›