E Diel, 1 Nëntor 2026

Muka kërkon fitoren në Kavajë: Tirana duhet ta harrojë Dinamon

Java e 15-të e Kategorisë Superiore do të ofrojë duele mjaft interesante. Dinamo kryesuese pret Vllaznisë, por kryendeshja do të luhet në Kavajë, ku Besa do të ketë përballë Tiranën. Një duel që vlen për vendin e dytë në klasifikim, më tepër sesa për të rihapur garën në kampionat, pasi të paktën në letër blutë nuk pritet të bëjnë hapa falsë. Barazimi i fundjavës që sapo lamë pas me Gramozin ka lënë shije të hidhur, por kapiteni Devi Muka kërkon që bardheblutë të jenë maksimalisht të përqendruar për sfidën me verdhezinjtë e drejtuar nga Shkëlqim Duro. Ai beson se kampionët në fuqi do të tregojnë vlerat e tyre dhe beson te marrja e tri pikëve. "Besa është një kundërshtar i fortë dhe natyrisht që ndeshja në Kavajë pritet të jetë mjaft e vështirë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë që Tirana e tregon veten në sfida të tilla, kjo është një karakteristikë e kësaj skuadre", tha fantazisti vlonjat. "Ndodhemi në një moment të tillë kur duhet të tregojmë se nuk dorëzohemi lehtë dhe të shfaqim shpirt gare në fushën e lojës. Personalisht, jam shumë optimist se do të fitojmë".
Barazimet e dy ndeshjeve të fundit (më parë në Korçë dhe më pas në kryeqytet) e kanë shkëputur Tiranën me 16 pikë nga Dinamo kryesuese. Një diferencë që vetëm matematikisht lë shpresa për titull, pasi praktikisht bardheblutë janë në garë për vendin e dytë. Por, Muka mendon se përqendrimi i tepërt te rivalët ka ndikuar në ecurinë e skuadrës së Tafajt dhe ai kërkon nga shokët që të mendojnë për veten. "Tirana ka një grup cilësor futbollistësh, pavarësisht faktit se ndodhemi në pozita jo komode në klasifikim. Kjo skuadër ka vlera dhe potencial që të mos i zhgënjejë tifozët, shtoi 33-vjeçari. Megjithatë, problemi ynë kryesor është se jemi marrë shumë me Dinamon. Kemi shpenzuar kohë dhe energji në këtë drejtim, ndërsa ata kanë vazhduar rrugën e tyre të pashqetësuar dhe pa bërë gabime. Rezultatet jo të kënaqshme e konfirmojnë se duke menduar shumë për Dinamon, kemi lënë veten pas dore". Kapiteni ka folur edhe për atë që u cilësua si një "krisje" me trajnerin Tafaj. Gjatë ndeshjes me Gramozin, për habinë e të gjithëve, drejtuesi i stolit e zëvendësoi mesfushorin, edhe pse ai ishte mes më të mirëve në fushën e lojës. Gjithsesi, Muka ka sqaruar situatën, duke hedhur poshtë çdo aludim se mes palëve ka probleme. "Ka ndodhur një keqkuptim, i cili është amplifikuar edhe nga mediat. Nuk kam asnjë konflikt me trajnerin, pasi i kërkova vetë që të më zëvendësonte. Kam marrëdhënie mjaft të mira me stafin teknik të Tiranës dhe e përsëris se fajtorët e vetëm për situatën ku ndodhet Tirana jemi vetëm ne futbollistët", përfundoi ai.

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›