LSI: Refuzojmë ftesën e Ramës, nuk dalim nga qeveria me PD
TIRANË Sekretari për Çështjet Elektorale në LSI, Ylli Manjani deklaroi dje se mënyra sesi Rama bën ftesën për LSI-në është qesharake. “Kjo duket sikur ‘Mesia’ po bindet se duhet të marrë LSI-në në koalicion. Ai është bindur se nuk fiton pa LSI-në. Por ka ngërç se mendon se nuk bëhet dot kryeministër. Të gjitha partitë e mëdha e kanë fobi të marrin parti aleate në koalicion. Kjo është sfida e liderëve të sotëm, të ndajnë pushtet. Rama do të qeverisë vetëm”, - tha Manjani mbrëmë gjatë emisionit “Fakt” të Çim Pekës në UTV, ku po debatonte me analistë e politikanë të tjerë pikërisht për mundësinë e bashkimit PS-LSI. Manjani shtoi se debati për një bashkim të mundshëm PS-LSI është i parakohshëm, pasi janë të angazhuar që t’i japin stabilitet qeverisjes së këtij vendi. “Gjithçka ka nisur nga një qëndrim privat i zotit Rama. Ne jemi të angazhuar që vendi të ketë qeverisjen e nuk rrezikojmë ta lëmë vendim pa qeverisje. Do t’i qëndrojmë marrëveshjeve politike për të garantuar qeverisjen e vendit”, - tha ai. Manjani kritikoi edhe mënyrën e bërjes politikë të Ramës.