E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident i rëndë me trenat. Dhjetëra të vrarë, qindra të plagosur

Indi Dyshohet për një sabotim të maoistëve

Dy trena janë përplasur në Indinë Lindore, pasi njëri nga ata doli nga binarët. Autoritetet thonë se përplasja e trenave u shkaktua pas një akti sabotimi nga rebelët maoistë. Së paku 65 njerëz kanë vdekur, por shifrat mund të rriten për shkak se shumë pasagjerë ende duhet të nxirren nga treni. Njoftimet thonë se 200 persona janë lënduar. Treni po udhëtonte nga Kalkuta drejt Bombeit në kohën e përplasjes, që ndodhi në zonën Jhargram të shtetit të Bengalit Perëndimor. Incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur “Gyaneswari Express” po udhëtonte drejt zonës së thellë të shtetit të Bengalit Perëndimor. Zyrtarët e hekurudhave thonë se për shkak se ishte ende errësirë, trenisti nuk arriti të shihte se një segment i shinave ishte i dëmtuar. Disa vagonë të trenit dolën nga binarët dhe u përplasën me një tren mallrash që vinte në drejtim të kundërt. Tre vagonë u dëmtuan rëndë dhe ekziston frika se shumë njerëz mund të kenë mbetur brenda. Ekipet e shpëtimit po përpiqen që t'i nxjerrin njerëzit nga vagonët e dëmtuar. Zona ku ndodhi përplasja e trenave është e njohur si bastion i rebelëve maositë. Ata kishin bërë thirrje për një javë të përgjakshme në këtë zonë, duke filluar nga dita e premte.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›