E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtëritja e anëtarëve të gjykatave, ambasadorët leksione mazhorancës

Qëndrimi Kryediplomati amerikan, ambasadorja britanike dhe kreu i prezencës së OSBE-së kritikojnë Kuvendin

Rrëzimi i dekretit presidencial për emërimin e Vangjel Kostës si gjyqtar në Kushtetuese është jo transparent. Ambasadori amerikan, John Withers, ka deklaruar dje në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga dy ish-presidentët Alfred Moisisu dhe Rexhep Meidani se rasti në fjalë vë në diskutim serioz pavarësinë e pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Përkrah diplomatëve të tjerë si ambasadorja britanike, Fiona McIlwham dhe ai i OSBE-së, Robert Bosch, Withers ka bërë të ditur opinionin e pjesës kryesore të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë, sipas të cilit rrëzimi i Vangjel Kostës është një sinjal serioz për respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve. “...të gjithë jemi të shqetësuar, të gjithë jemi të trazuar nga rrëzimi prej Parlamentit i një kandidati shumë të shquar dhe shumë të kualifikuar, Z. Vangjel Kosta”, tha Withers. Për më shumë, ky akt i shumicës ka nxitur shqetësimin deri në një shkallë të tillë, sa apeli i djeshëm të përkufizohet edhe si një paralajmërim për dekretet e ardhshme për Gjykatën e Lartë. “Jemi mbledhur të gjithë sot këtu, sepse besoj se ndajmë një shqetësim të përbashkët lidhur me emërimet për anëtarët e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë”, ka thënë Withers duke sjellë si shembull të mundshëm për t’u ndjekur praktikën amerikane të seancave të hapura dëgjimore për kandidatët. Ndërkohë, duke rishprehur idenë sipas së cilës rrëzimi i Kostës ka ardhur mbi parimet e ligjit të lustracionit, diplomati amerikan ka nënvizuar se si i tillë ai është i paargumentuar. Kjo pasi ky ligj është rrëzuar si nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ashtu edhe nga Komisioni i Venecias, pikërisht për shkak të papajtueshëmrisë me Kushtetutën, por edhe pse cenonte të drejtat e njeriut. Referimi qoftë edhe i tërthortë ndaj lustracionit të mbetur vetëm në statusin e draftit konsumohet si akt jo i pastër politikisht dhe në pikëpamje procedurale tërësisht jashtë normave të transparencës. “Mënyra dhe mungesa e transparencës në rrugën se si u arrit ky vendim është befasues. Ai duket sikur është shqyrtuar në bazë të kritereve të përvijuara në një projektligj lustracioni, i cili u hodh poshtë si nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ashtu edhe nga një opinion këshillues i Komisionit të Venecias. Kjo nuk është transparencë dhe ngre imazhin e llojit të ndikimit politik mbi gjykatat që nuk duhet të ndodhë në një shoqëri demokratike”, tha Withers. Në fakt, gjatë tryezës ka rënë në sy përsëritja e fjalës transparencë nga të gjithë të pranishmit, që tingëllon aktuale jo vetëm për emërimin e një gjykatësi, por edhe për një shumësi procesesh politike apo institucionale që e kanë kthyer ligjin në alibi. Kështu, sipas ambasadorit të OSBE, Robert Bosch, emërimi i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese duhet të adresohet vetëm te vlerësimi i kritereve profesionale dhe fryma e Kushtetutës që i jep Presidentit të drejtën e përzgjedhjes.

Përndryshe aktet në fjalë mund të interpretohen si ndërhyrje të politikës në një sferë që duhet të mbahet larg dhe jashtë kontrollit të saj. “Ne jemi të mendimit që Parlamenti duhet t’i miratojë përzgjedhjet e bëra nga Presidenti, dhe jo t’i kundërshtojë ato në bazë të përkatësisë politike. Rrëzimi i kandidaturave duhet të bëhet vetëm nëse kandidatët nuk plotësojnë kushtet e profesionalizmit”, u shpreh Bosch. Në të njëjtën valë ka qenë edhe përfaqësuesja e Britanisë së Madhe, Fiona McIlwham, e cila së bashku me dy kolegët e saj kanë përcjellë mesazhe të qarta për shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë. “është jetike që procesi i tanishëm të synojë forcimin e pavarësisë, integritetit dhe profesionalizmit të gjyqësorit në mënyrë që gjykata të gëzojë besimin e të gjithëve sidomos publikut shqiptar”, tha McIlwham në një apel që do të marrë përgjigje me votimin e radhës në Parlamentin shqiptar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›