E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri Kombëtar, duhet të reformohet

Mihallaq Luarasi, regjisori e dramaturgu shqiptar, në fjalën që mbajti dje në veprimtarinë kushtuar 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar, foli për arritjet ndër vite, por edhe për problemet që e shqetësojnë këtë institucion të rëndësishëm. “Do të ishte e gabuar sikur sot të flinim vetëm mbi dafinat e suksesit”, u shpreh ai

...Nuk ka mundësi të bëjmë një kronikë historike të përmendim gjithçka hap pas hapi, shfaqje pas shfaqjeje, sukses pas suksesi, por të flasim vetëm shkurtimisht nëpërmjet disa fazave të zhvillimit në ngritje të Teatrit Kombëtar. është fakt i pamohueshëm se dëshira për të bërë dhe për të parë teatër ishte në mendjet dhe në zemrat e shqiptarëve qysh në kohët e hershme. Kësaj nevoje shpirtërore të popullit i përgjigjeshin njerëz të pasionuar pas teatrit, të guximshëm, që sakrifikonin kohën dhe mundin e tyre pa asnjë shpërblim material.

Do të përmend një fakt të veçantë: me themelimin e teatrit të parë profesionist shqiptar, u krye edhe një revolucion i vogël për emancipimin e gruas shqiptare. Për herë të parë në historinë e këtij populli dhe këtij vendi, por edhe shumë vendeve të tjera, kur femrat nuk dilnin në skenë se rolet e femrave i luanin meshkujt, u shfaqën në skenë Behije çela, Ollga Shuraja, Liza Vorfi, Violeta Manushi, Besa Imami, Drita Pelingu, Marta Burda, e më tej, Esma Agolli, Margarita Xhepa, Liza Laska etj.

çështja e profesionalizmit, çështja e të mësuarit të zanatit të aktorit, u shfaq menjëherë me krijimin e trupës. U hapën kurse ku provuan shumë mënyra si të kapërceheshin vështirësitë, që aktorët të mësonin profesionin, por ende nuk kishim shkollë. Një shkollë të vërtetë për aktrimin. U dërguan jashtë shtetit pak artistë, por më shumë u çuan jashtë për të mësuar regjisurën. Megjithatë, ende ne vetë, nuk kishim shkollë. Shkolla e parë që u krijua si e tillë është Liceu Artistik në vitin 1946, me tri degë, degën e arteve figurative, të muzikës dhe të aktrimit. Nga kjo shkollë kanë dalë një shumësi artistësh, regjisorët e rinj të gjithë kanë kaluar në Liceun Artistik, ndër ta edhe unë. Pastaj, vite më vonë, erdhi shkolla e vërtetë, shkolla e lartë e cila u krijua në vitin 1959, që u krijua këtu, brenda Teatrit.

Kisha ndërmend të them disa fjalë për misionin e Teatrit Kombëtar, sepse kjo ka rëndësi të madhe shumë. Teatri Kombëtar është një titull i lartë që çdo shtet e jep për merita të shquara në ngritjen e kulturës kombëtare, për vlera të arritura dhe vlera që duhen arritur, për përpjekjen që ai bën dhe që duhet të bëjë në emancipimin dhe në integrimin e kulturës sonë në Europë dhe në botë duke ruajtur tiparet e veta dhe të patjetërsueshme. Pavarësisht nga specifika e veçantë, kushtëzuar prej izolimit nga bota, teatri ynë ishte pjesë e tërësisë së teatrit europian. Në një mënyrë apo në një tjetër, ai është ndikuar prej tij. Kështu mes kontradiktash dhe pengesash Teatri ynë Kombëtar u bë dhe është vlerë e pandashme e identitetit të shqiptarëve. E theksoj këtë fakt se ka pasur raste kur ndonjë qeveritar e drejtor i këtij teatri e ka harruar ose nuk e ka ditur se ç’është ky institucion dhe i ka lejuar vetes ta dëmtojë atë. Kemi kaluar kriza ku rrezikohej t’i tjetërsohej funksioni, madje edhe eliminimi fizik i tij, për t’i rrëmbyer truallin. Këto të këqija u kapërcyen nga qëndresa e pjesës më të ndërgjegjshme të kësaj trupe aktorësh. Dhe sot jemi këtu jo vetëm për të festuar, por edhe për të kujtuar... U përmend këtu numri i aktorëve që kanë shkelur në këtë skenë, 170... këta aktorë kanë luajtur 3100 role në 65 vjet. Ndër ta personazhe të pavdekshëm të dramaturgjisë botërore dhe shqiptare... Krahas klasikëve, sidomos pas prishjes me sovjetikët, në vitin 1961, u liruan shumë vende në repertor edhe për shumë drama bashkëkohore të huaja. Kështu, aktorët tanë u përballuan me sukses dhe me dramaturgji të nivelit dhe të zgjedhur me kritere të caktuara, edhe me këto vepra u krijuan role të mëdha. Në dhjetë vjetët e para, pavarësisht nga ndërhyrjet e mëdha të dramave mediokre sovjetike, është një fakt për të ardhur me të vërtetë keq për lodhjen e punën e madhe që bënte Naim Frashëri në atë kohë, kur brenda 5 ose 6 vjetëve ka luajtur 30 role në drama shumë të dobëta ruse. Por pavarësisht nga këto, gjatë këtyre viteve u krijuan edhe spektakle e trupëzime të shquara aktorësh edhe nga dramaturgjia shqiptare me vlera të vërteta të qëndrueshme artistike. Nga këto drama ka të atilla që edhe sot mund të vihen në skenë. Ndoshta me ndonjë përpunim të vogël.

Etapa e tretë e aktrimit që fillon në vitin 1991 e deri sot nuk mund të shqyrtohet e vlerësohet në pak minuta. Puna e aktorëve të shquar të kësaj etape, meriton të analizohet veçmas bashkë me dramat. Do të ishte e gabuar sikur sot të flinim vetëm mbi dafinat e suksesit. Problemet e sotme apo ato të bartura nuk mund dhe nuk duhet t’i fshehim. Ja dy nga të shumtat: Sistemi i moshave të aktorëve në Teatrin tonë Kombëtar është anormal. Mungon raporti i ekuilibruar i domosdoshëm në teatër midis moshave të rritura dhe të rinjve. Mungojnë pasardhësit e aktorëve të shquar që kanë hyrë jo në pak raste në fazën e moshës së tretë. Nuk kemi zëvendësues të talentuar të të mëdhenjve të sotëm, madje as të atyre të djeshëm. Nëse nuk do të merret masa për të stabilizuar raportin nesër do të jetë edhe më i vështirë kompensimi i kohës së humbur. Plotësimi i radhëve me aktore dhe aktorë të rinj është domosdoshmëri dhe punë që duhet kryer me përgjegjësi të lartë profesionale dhe qytetare, me konkurse transparente, sepse duhen eliminuar ndërhyrjet që nuk kanë munguar asnjëherë në dëm të teatrit. Ky teatër ka nevojë të reformohet në strukturën e vet dhe të rishikohen marrëdhëniet e tij me shtetin, duke kërkuar statusin e tij të veçantë në mënyrë që të ketë mundësi që të zhvillohet e të modernizohet edhe në aspektin teknik. Nuk mund të realizohen spektakle bashkëkohore me teknikën primitive që kemi ne. Për ta mbyllur do jap vetëm një statistikë e cila shpreh qëndrimin jo pozitiv fatkeqësisht që ka mbajtur në fazën e tretë Teatri Kombëtar ndaj dramaturgjisë vendase. Në 20 vjet nga 1961 deri në vitin 1981 janë vënë në skenë 71 vepra shqiptare. Në 20 vjet, nga viti 1991 deri në vitin 2010 janë vënë në skenë 23 vepra shqiptare. Një e treta e atyre që janë vënë në periudhën e mëparshme. Në pesë prej këtyre 20 vjetëve nuk është vënë asnjë vepër shqiptare. Këto të dhëna flasin vetë.

Faleminderit shumë!

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›