Aksident i rëndë në Borsh, dy të vdekur dhe dy të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës 14:00, përgjatë rrugës që të çon në bregdetin e fshatit Borsh.
Në aksident janë përfshirë dy automjete, ndër to një furgon që transportonte peshk, ku udhëtonin një çift bashkëshortësh, përkatësisht një 62-vjeçar dhe bashkëshortja e tij 54-vjeçare. Si pasojë e përplasjes së fortë, çifti ka humbur jetën në vendngjarje.
Ndërkohë, në mjetin tjetër ndodheshin dy të rinj, 30 dhe 28 vjeç. I riu 30-vjeçar ka pësuar dëmtime të rënda dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ndërsa 28-vjeçari ka marrë plagë më të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, por dyshohet se një manovër e gabuar apo shpejtësia mund të kenë qenë shkaktarë të tragjedisë. Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.
/vizionplus.tv