Aksident në Egjipt, vdesin 11 hungarezë

Zyrtarët në Egjipt thonë se të paktën 11 turistë hungarezë kanë vdekur, ndërsa 27 njerëz të tjerë janë lënduar, pas aksidentimit të një autobusi.
Agjencia shtetërore e lajmeve, MENA, njoftoi se aksidenti ka ndodhur në orët e vona të së dielës në periferi të Hurgadas, në jug të Kajros.
Raportet thonë se janë duke u hetuar indikacionet që autobusi të jetë përmbysur, kur po udhëtonte me një shpejtësi të lartë.
Mësohet se autobusi po i çonte hungarezët nga hoteli i tyre për në aeroport.
Raportet e MENA-s thonë se zyrtarët kanë kontaktuar tashmë ambasadën hungareze në Kajro, për të organizuar kthimin e kufomave në vendin e tyre.