E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veri, autokolona e KFOR kalon në Jarinjë

Autokolona e KFOR-it ka kaluar përmes një lejeje të dhënë nga serbët e veriut barrikadën që pengonte hyrjen e saj në pikën kufitare të Jarinjës.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat serbe, sipas të cilave autokolona përbëhej nga një autovinc, dy autoblinda të tipit “Hummer” dhe një kamion, të shoqëruara nga një automjet i Policisë së Kosovës.

Nga ana tjetër zyrtarë të KFOR-it bëjnë të ditur se kalimi është bërë sipas procedurave të rregullta dhe se situata në veri vazhdon të jetë e qetë.

Më herët, në orët e mëngjesit, serbët e veriut bllokuan kalimin e mjeteve transportuese të kontigjentit amerikan të KFOR-it, në Zvecan.

Zëdhënësi i misionit të NATO-s, Uve Novicki ka deklaruar gjithashtu se motivet për këtë veprim të serbëve janë ende të paqarta.


Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci duke komentuar raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, ka deklaruar se ai tregon nevojën për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë.
Sipas tij, synimi politik i Serbisë dhe strukturave paralele për ndarjen e Kosovës gjeneron krizë jo vetëm për vendin, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›