Aksident në Fier, Gjirokastër e Shkodër, 2 humbasin jetën dhe 2 plagosen
Tiranë – Dy persaona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë në tre aksidente të ndryshme në akset rrugore Fier-Lushnjë dhe Tepelenë-Gjirokastër dhe Shkodër -Koplik. Aksidenti i parë me pasojë vdekjen ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm në aksin rrugor Fier-Lushnjë. Burime policore informojnë për gazetën “Albania” se një automjet tip “Bens”, është përplasur rreth mesnatës me një maune në aksin rrugor Fier- Lushnjë me pasojë vdekjen e drejtuesit të Bensit. Policia detajon se makina tip “Bens”, me targa LU 0956 C, është përplasur me maunen me targa FR 3315 A dhe në aksident humbi jetën 55-vjeçari Kimet Kaja. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte 55-vjeçari në “Bensin” me targa të Lushnjës.
Në një tjetër aksident rrugor me pasojë vdekje ka ndodhur në aksin Gjirokastër-Subash, në vendin e quajtur “Serrat e Mashkullorës”, në të cilin ka humbur jetën 79-vjeçari, Thanas Caca. Sipas të dhënave policore, ai po drejtonte automjetin tip Fiat Bravo me targa greke YPE 5095 dhe ka dalë nga rruga duke rënë në fushë dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Automjeti kishte si drejtim lëvizje, nga Korça për në Athinë , dhe përveç drejtuesit të automjetit nuk kishte asnjë shtetas tjetër të udhëtonte me të. Bëhet e ditur se ai ka qenë i lindur në Konispol të Sarandës dhe banues në Korçë, por aktualisht ishte me banim të përkohshëm në Athinë dhe kishte marrë nënshtetësinë greke. Grupi hetimor ka konstatuar se shkaku i aksidentit është “humbje e kontrollit të drejtuesit të automjetit”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Burrë e grua kanë mbetur të plagosur rëndë, pasi motoçikleta me të cilin ata po udhëtonin u përplas me një automjet. Aksidenti ndodhi mëngjesin e djeshëm në aksin rrugorë Shkodër - Koplik, në vendin e quajtur në afërsi të Kompleksit të Zmijanve, kur mjeti tip-Audi me targa SH 92 68 C, me drejtues 45-vjeçarin Behar Tokaj, ka aksidentuar bashkëshortët Skënder K., 50-vjeç dhe Kudrete K., 38-vjeç, të cilët po udhëtonin me një motoçiklete tip-Lifan, pa targa. Si pasojë e këtij aksidenti është dëmtuar shtetasja Kudrete K., e cila ka thyer këmbën dhe ndodhet e shtuar në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesi i motoçikletës, Skënder K., nuk ka pësuar dëmtime serioze. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimore, i cili ka kryer veprimet e para hetimore në lidhje me aksidentin. Policia ka bërë të mundur ndalimin e drejtuesit të automjetit, 45-vjeçarin Behar Tokaj dhe material në ngarkim të tij do i kalojnë Prokurorisë së Rrethit për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugorë”.
Goditi me thikë bashkëmoshatarin, policia ndalon të dyshuarin e ngjarjes
Shkodër – Policia e Shkodrës ka mundësuar arrestimin në flagrancë të 20-vjeçarit Florenc Harusha, lindur e banues në lagjen “Salo Hali” të këtij qyteti, pasi dyshohet të jetë autor i një plagosje me thikë. Sipas të dhënave policore, në vendin e quajtur “Lulishtja para Prefekturës”, pas një konflikti me bashkëmoshatarin e tij Albi N., 20 vjeç, edhe ky banues i Shkodrës, Florenc Harusha, e ka goditur me thikë në kraharor atë duke i shkaktuar dëmtime. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spitalin e Shkodrës, ku ka marrë ndihmën e duhur mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën mbikëqyrjen e mjekëve. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e duhura, nga ku rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një sherri mes autorit dhe të dëmtuarit.
Tiranë, zjarr në pallat, nuk ka të lënduar
TIRANE- Ka rënë zjarr në katin e gjashtë të një pallati në Tiranë por fatmirësisht nuk ka shkaktuar viktima dhe të lënduar. Forcat zjarrfikëse kanë evakuuar banorët e pallatit për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve. Ngjarja ka ndodhur në katin e gjashtë të një pallati përballë Ministrisë së Drejtësisë në Bulevardin “Zogu i Parë”. Mësohet se në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dy mjete zjarrfikëse të cilat kanë normalizuar situatën. Nga informacionet paraprake bëhet e ditur se në shtëpi nuk ka pasur njeri në momentin e shpërthimit të zjarrit ndërsa kjo gjë ka vështirësuar shumë punën e zjarrfikësve, të cilët e kanë pasur të vështirë të futen në brendësi të apartamentit. Ndërkohë ende nuk janë bërë të ditura shkaqet e zjarrit ndërsa dëmet e shkaktuara duket se janë të mëdha.
10 Qershor 2009