Jetimët, përzgjidhen 70 familjet e para kujdestare në Tiranë dhe Shkodër
Jonida Tashi
Përzgjidhen 70 familjet e para kujdestare, që kanë fituar të drejtën ligjore, për të marrë në shtëpitë e tyre fëmijë jetim. Sipas Ministrisë së Punës, janë përzgjedhur në bazë të kritereve të përcaktuara në ligj rreth 45 familje në Tiranë e 25 të tjera në qytetin e Shkodrës, të cilat plotësojnë kushtet e duhura për të qenë kujdestare. Strategjia e Ministrisë së Punës “Dokumenti i Politikave të Kujdestarisë”, që parashikohet të nisë nga zbatimi në muajin shtator, synon rikthimin e fëmijëve jetim në jetën familjare. Në zbatim të kësaj strategjie tashmë janë evidentuar familjet e para kujdestare që do të marrin përsipër rritjen dhe përkujdesin ndaj kësaj shtrese. Fëmijët jetimë si dhe të tjerë që akomodohen në institucionet e përkujdesit social, për shkak se familja e tyre nuk është në gjendje t’i mbajë, pritet të jetojnë pranë familjeve kujdestare.
Shërbimi
Shërbimi i kujdestarisë do të ofrohet si për fëmijët e strehuar në institucionet e shtëpisë së fëmijës, ashtu dhe në familjet e tyre biologjike që nuk ofrojnë standard të jetesës. Për të rritur cilësinë e jetës së fëmijës që do të përfitojë kujdestari, ekspertet do të punojnë paralel dhe me familjet e tyre biologjike për të rritur standardet e jetës apo të rehabilitohen, nëse kanë probleme me dhunën. Për këtë qëllim nevojitet bashkëpunimi mes shoqërisë civile dhe pushtetit vendor e qendror. Ekspertet nënvizojnë se nëse familja biologjike nuk do të tregojë gatishmëri për të bashkëpunuar, sipas ligjit, do të dënohet me heqje të së drejtës prindërore. Ndërkohë, familjet që do të marrin përsipër trajtimin e këtyre fëmijëve, do të asistohen edhe nga punonjës socialë e ekspertë të tjerë të fushës, për t’u dhënë kështu fëmijëve ndihmën e duhur në procesin e rritjes.
Projekti
Fillimisht është menduar që projekti të zhvillohet në qytetet e mëdha, ku ka më shumë qendra të përkujdesit të fëmijëve, si dhe familje që do të duan të marrin përsipër kujdestarinë e tyre. Megjithatë, ekspertët pohojnë se zbatimi i këtij projekti pritet të shtrihet në të gjitha rrethet e vendit. Nga të dhënat e Shërbimit Social Shtetëror në vend janë të regjistruar të paktën 1198 fëmijë jashtë kujdesit prindëror. Prej tyre, rreth 448 janë të vendosur në institucione publike (350 në institucionet për fëmijë të moshës 0-3, 3-6 dhe 6-14 dhe 98 fëmijë në qendra rezidenciale zhvillimi). Pjesa tjetër e këtij grupimi është nën kujdesin e organizatave jo-fitimprurëse. Kështu, 581 fëmijë janë në qendra ditore, 169 fëmijë jetojnë pranë të afërmve, rreth 60 fëmijë adoptohen çdo vit brenda dhe jashtë vendit, si dhe fëmijë me aftësi të kufizuara, fëmijët që detyrohen të punojnë, fëmijët e trafikuar, të migruar, të ngujuar nga gjakmarrja, fëmijët romë, egjyptianë, apo të braktisur që në lindje.
Gjendet e braktisur foshnja njëjavëshe, dërgohet në shtëpinë e fëmijës
FIER- Një foshnjw njëjavëshe, e seksit mashkull, është gjetur e braktisur pranë Shtëpisë Ushtarake në qytetin e Fierit. Banorët kanë gjetur foshnjën në shkallët e pallatit nr 17 në lagjen “11 janari”. Kanë qenë të qarat e fëmijës që kanë nxitur kuriozitetin e kalimtarëve të shikonin se çfarë ishte e mbuluar me batanije. Menjëherë foshnja është dërguar në maternitetin e qytetit dhe pasi është bërë kontrolli mjekësor është informuar se foshnja e seksit mashkull gëzonte shëndet të plotë dhe kishte vetëm një javë që kishte ardhur në jetë. Materialet i kanë kaluar policisë për të zbuluar nënën që braktisi foshnjën e porsalindur.
Dhurimi i gjakut, në vend numërohen 500 të sëmurë kronik
Aktualisht në vendin tonë numërohen afro 500 të sëmurë kronikë, që kanë nevoja të vazhdueshme për gjak. Megjithëse autoritetet shëndetësore deklarojnë se dhurimi vullnetar i gjakut është rritur krahasuar me një vit më parë, sërish bankat e gjakut në vend rrezikojnë të boshatisen gjatë verës. Ky fakt konfirmohet edhe nga vetë ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila ka pohuar do të rriten fushatat e dhurimit të gjakut gjatë verës, pasi sipas saj, ky është një sezon i vështirë për të siguruar rezerva, për operacionet apo aksidentet që në këtë periudhë janë në rritje. “Në sezonin e verës, kur dhe operacionet e planifikuara kanë një rënie, gjithmonë gjendemi pak të zbuluar dhe për këtë arsye institucionet kryesore që merren me këtë marrin masa”,- vijoi Godo. Ndërkohë që po sipas këtyre autoriteteve, qytetarët duhet të dhurojnë një herë në dy muaj gjak. Sipas autoriteteve shëndetësore, këtë vit, krahasuar me një vit më parë, është dyfishuar numri i dhurueseve vullnetarë të gjakut. Kjo deklaratë është bërë nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, vetëm pak ditë larg datës 14 Qershor, që njihet si Dita Ndërkombëtare, e dhurimit të gjakut. Ministrja e Shëndetësisë ka folur edhe për çështjen e importit të gjakut, ku sipas saj, pavarësisht se ekzistojnë baza ligjore, importet nga vendet e tjera kanë qenë vetëm në raste emergjencash. “Nëse krahasohemi me një vit më parë mund të themi që kemi dyfishim të dhurimeve vullnetare të gjakut. Ligjshmërisht lejohet, por nuk është aq e thjesht, sepse dhe ata që të japin gjak, të japin vetëm në situata emergjente, siç ndodhi për shembull tragjedia e Gërdecit”, - u shpreh Anila Godo, ministre e Shëndetësisë.
10 Qershor 2009