E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i drogës, shkarkohet nga detyra nënkomisari i Rinasit



Luan Kondi

Tiranë – U shkarkua nga detyra nënkomisar, Altin Murra, i arrestuar dy ditë më parë në Stamboll si i implikuar në trafikimin e një ngarkese të konsiderueshme heroine. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, deklaroi se po mbahen kontakte me policinë turke për vijueshmërinë e këtij operacioni. “Punonjësi i policisë është shkarkuar menjëherë pasi kam kontaktuar me drejtorin e policisë së Stambollit. Ne po punojmë ngushtësisht për të hetuar lidhur me trafikun e lëndëve narkotike”, -u shpreh Premci. Dy ditë më parë Altin Murra i diplomuar në Turqi në Akademinë e Policisë u prangos së bashku me dy shtetas të tjerë, njëri shofer i maunës ku ishte fshehur droga dhe tjetri biznesmen. “Oficeri kishte marrë lejen e zakonshme për të kryer një vizitë mjekësore në Turqi”, sqaroi Prençi. Drejtori i Përgjithshëm i policisë i dha këto deklarata pas ceremonisë së largimit nga misioni ICITAP, i Darel Hart, i cili do zëvendësohet nga zoti Geri Buller.
Ngjarja
Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Turqi të implikuar në trafikun e lëndëve narkotike. Mes të ndaluarve, njëri është oficer në Rinas. Lajmi konfirmohet edhe nga Policia e Shtetit, e cila njofton se është në dijeni të arrestimit të shqiptarëve, që janë: nënkomisar Altin Murra, me detyrë oficer në Rinas; Burhan Markeçi nga Dibra, 39-vjeç dhe Nalton Jacaj nga Tirana, i moshës 35-vjeç. Sipas të dhënave të para, mësohet se lënda narkotike me të cilën janë kapur është e llojit heroinë, por ende nuk është saktësuar sasia. Ata janë kapur në Stamboll, teksa kanë qenë duke transportuar drogën. Mendohet se shkak për ndalimin e tyre janë bërë përgjimet telefonike, por hetimet janë duke vijuar ende. Vetëm pak kohë më parë, sekretari i dytë i Ambasadës sonë në Shkup, Agim Haxhia, u arrestua me 65 kilogramë heroinë.
Operacioni
Gati një muaj pas arrestimit të ish-sekretarit të dytë në ambasadën shqiptare në Shkup, një tjetër operacion antidrogë i policisë turke ka vënë në pranga tre shtetas të tjerë shqiptarë për implikimin e tyre me çështjet e drogës. Mediat turke raportojnë se mes të prangosurve është edhe një oficer policie, efektivi i uniformave të Aeroportit të Rinasit. Po sipas mediave turke, tre shqiptarët janë ndaluar në Stamboll, në kushtet e flagrancës, duke transportuar një sasi të konsiderueshme droge, masa e të cilës shkon deri në 65 kilogram. Nënkomisar Altin Murra, i diplomuar në akademinë policore turke, u kap se bashku me dy bashkëkombësit e tij, Burhan Markeçi nga Dibra, 39 vjeç dhe Nalton Jacaj nga Tirana, i moshës 35 vjeç. Sipas të dhënave paraprake nga policia, të prangosurit ishin duke udhëtuar me një maune transportuese mallrash, shofer i të cilës ishte Burhan Markeçi. Behet e ditur se ata janë kapur pas përgjimeve telefonike nga ana e policisë turke. Për shkak të verifikimeve që po vijojnë ende, policia nuk jep të dhëna të tjera.
Ky është rasti i tretë që policitë turke dhe italiane vënë në pranga diplomatë, shoferin e ambasadës dhe tashmë një nënkomisar policie. Kështu, autoritetet kufitare turke arrestuan më 2 maj të këtij viti me 65 kilogramë heroinë në automjetin e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Maqedoni, sekretarin e dytë të ambasadës në Shkup, Agim Haxhiu. Disa muaj më parë, shoferi i ambasadës shqiptare në Romë, Arsen Selmanllari u arrestua pasi iu gjet 1 kg kokainë në automjetin me targa diplomatike. Arrestimet u kryen gjatë një kontrolli policor në autostradë në dalje të Milanos. Policia gjeti në bagazhin e makinës 1 kilogram kokainë

Grindja mes dy adoleshentëve, 10-vjeçari plagoset me pistoletë aksidentalisht

Durrës - Një djalosh 10-vjeçar është plagosur në mënyrë aksidentale gjatë një konflikti mes dy adoleshentësh. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen 18 të qytetit të Durrësit, ku pas grindjes me fjalë mes një grupi të rinjsh, njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri, të tipit pistoletë. Djaloshi 10-vjeçar, i cili ka qenë në vendin i ngjarjes, duke vështruar grindjen mes dy adoleshentëve, është goditur në mënyrë aksidentale nga plumbat e pistoletës "TT". Forcat e policisë bëjnë të ditur se tashmë janë vënë në ndjekje të autorëve të ngjarjes, ndërsa i plagosuri ndodhet në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën.

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›