Rritja e pagave të mjekëve dhe infermierëve sipas kategorive
Emanuela Sako
Hyn në fuqi rritja e pagave të mjekëve dhe infermierëve në të gjitha spitalet e vendit. Menjëherë pas zbardhjes së vendimit të qeverisë për rritjen e pagave të personelit shëndetësor në spitale, ISKSH-ja ka dërguar për zbatim vendimin në drejtoritë rajonale përkatëse. Rritja ka nisur që në datën 1 maj, siç ishte parashikuar në vendimin e qeverisë. Konkretisht, pagat e mjekëve në të gjitha spitalet pësojnë një rritje nga 19 % në 26 %, ose në vlerë absolute nga 5.000 lekë në 13.000 lekë. Rritjen më të lartë e përfitojnë shefat e shërbimeve të reanimacionit, kirurgjisë, radiologjisë, neuropsikiatrisë, (24 %-26%) ose në vlerë absolute 12.000 - 13.000 lekë.
Mjekët
Mjekët specialistë përfitojnë rritje nga 19 % deri në 22 %, ku përfshihen mjekët infeksionist, të urgjencës, të laboratorit, onkologët, kirurgët, hematologët, obstetër - gjinekologët, etj. Po të përmblidhen në vlerë absolute do të thotë se do të përfitojnë në shumën nga 6.000 lekë në 9.000 lekë në muaj. Në këtë mënyrë, duke filluar nga 1 maji i këtij viti, paga bruto e një mjeku me vjetërsi pune 25 vjet nuk do të jetë më vogël se 50.000 lekë në muaj nga 41.000 lekë në muaj që ka qenë më parë. Rritjet janë bërë veçanërisht në pagën për pozicion të vendit të punës, të cilat nga 23.800 lekë që kanë qenë më parë, janë bërë 31.000 lekë në muaj ose 7.200 lekë më shumë. Pra, me një rritje rreth 30 %. Po kështu, një rritje prej 9 % ka pësuar edhe paga e grupit, e cila tashmë është 12.000 lekë në muaj nga 11.000 lekë që ishte. Për rrjedhojë një rritje prej 9 % ka pësuar edhe paga për vjetërsi për çdo vit pune. Nga kjo rritje kanë përfituar rreth 1.800 mjekë me një efekt financiar mujor rreth 15 milion lekë ose deri në fund të vitit 2009 rreth 110 milion lekë.
Infermierët
Pagat e personelit tjetër infermieristik pësojnë një rritje mesatararisht 10 %. Pagat e infermierëve me arsim të lartë me vjetërsi pune 25 vjet arrijnë në 37.500 lekë në muaj, ndërsa të atyre me arsim të mesëm arrijnë në 34.000 lekë në muaj bruto. Rritja në vlerë absolute shkon nga 2.500 lekë në 3.100 lekë në muaj. Ndërsa pagat e kryeinfermierëve pësojnë një rritje 10 % deri në 12% në muaj ose në vlerë absolute nga 3.600 lekë deri në 4.500 lekë. Po kështu, pësojnë rritje deri në 10 %, pagat e personelit tjetër ndihmës dhe të administratës. Nga këto rritje përfitojnë rreth 10.000 punonjës (infermierë, administrata) me një efekt financiar mujor rreth 30 milion lekë, ose deri në fund të vitit 2009, rreth 210 milion lekë. Në total efektet financiare deri në fund të vitit 2009, nga zbatimi i vendimeve të mësipërme (paga + sigurime shoqërore e shëndetësore) arrin në rreth 385 milion lekë. Këto efekte do të përballohen nga buxheti i ISKSH-së i vitit 2009 i parashikuar për mbulimin e shërbimit të kujdesit spitalor.
10 Qershor 2009