Aksident në Patos, vdes 18-vjeçari, plagoset shoku
Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në Patos. Ngjarja është shënuar rreth orës 23.00, rreth 7 kilometra larg qytetit të Fierit. Mësohet se nga ky aksident kanë gjetur vdekjen një 18-vjeçar i quajtur Fabio Mamo, banues në Patos, dhe ka mbetur i plagosur rëndë Klodian Memo, 19 vjeç, edhe ky banues në Patos.
Mësohet se te dy të rinjtë kanë qenë duke lëvizur me një mjet tip Honda me targa greke në unazën e këtij qyteti. Pikërisht në vendin e quajtur lagja 29 marsi, në afërsi të stadiumit të futbollit, mjeti me të cilin ata lëviznin ka dalë nga rruga dhe më pas është përplasur me një pemë anës rrugës.
Si rezultat i kësaj përplasjeje të fortë ka gjetur vdekjen Fabio Mamo, i cili ishte në vendin e pasagjerit, dhe ka mbetur i plagosur Klodian Mema. Policia rrugore ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nxjerrë nga mjeti dy të rinjtë, të ciltë janë transportuar për në spitalin Rajonal të Fierit, për të marrë ndihmën mjekësore.
Por ka qenë tepër vonë, pasi njëri prej tyre dhe pikërisht Fabio Mamo, kishte gjetur vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa i riu tjetër pas ndërhyrjes së mjekëve është jashtë rrezikut për jetën, por me fraktura të rënda në pjesë të ndryshme të trupit.
Sipas policisë rrugore, shkaku i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia e madhe mjetit, si dhe mungesa e sinjalistikës dhe ndriçimit rrugor në pjesë të unazës së Patosit. / Kristaq Thana