E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-biznesit: Taksa më të ulëta për të shëruar ekonominë

Gjatë takimit me përfaqësues të biznesit paraditen e sotme, kryeministri Berisha u ka premtuar atyre lehtësimin e procedurave burokratike dhe uljen e taksave.

Berisha u shpreh se jetike për ekonominë shqiptare mbetet një paketë reformash, e cila synon ta bëjë ekonominë shqiptare më konkurruese.

Në një hark kohor të shkurtër, bashkë me ju, ne e bëmë ekonominë shqiptare një ekonomi konkuruese, trefishuam eksportet. Bëmë që ky vend në kohërat e vështira të ekonomisë evropiane të rrisë 3 herë investimet e huaja. Bëmë që Shqipëria për disa tregues të ekonomisë të jetë ndër 10 vendet e para të planetit. Sot është jetike një paketë e re reformash, sot është vendimtare një përpjekje e re për të bërë më kompetitive ekonominë shqiptare, tha Berisha.

Duke u ndalur tek taksat, Berisha e cilësoi propozimin e opozitës për taksimin progresiv si një dogmë e cila është faktuar si rrënimtare për ekonominë. Ai i premtoi taksa më të ulëta biznesit, pasi sipas tij, kjo është një mënyrë efektive për të shëruar ekonominë.

Ne jemi vend i përcaktuar për taksën e ulët. Ju garantoj që jo vetëm nuk do të ketë rritje taksash, por do të ketë ulje. Taksat e ulëta janë shumë herë më të dobishme sesa taksat e larta. Bota përjetoi krizën më të thellë pas viteve 30 të shekullit të kaluar spese u gjet me taksa të larta. Studime shumë të besueshme si ato të Oksfordit kanë faktuar se për çdo dollar të ulur nga taksa e të ardhurave personale, 0.54 për qind i shkon punonjësit, me rritje të rrogave dhe përmirësim të vendeve të punës. Ata që mendojnë se mund ta shërojnë ekonominë duke rrënuar të pasurit, mendojnë të rikthejnë ato cikle që u provuan rrënimtare të historinë e njerëzimit. Të varfërit nuk ndihmohen kurrë duke shkatërruar të pasurit. Ne nuk besojmë në dogmën markisite të taksave të larta. Ne do të ruajmë pozicionin e vendit me taksa më të ulëta në botë. Në aspektet tjera do të bëjmë gjithçka tu lehtësojmë ju nga barra burokratike, e cila ju gllabëron energji dhe kohë në mënyrë të pamerituar, tha Berisha. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›