Aksident në aksin Fier–Patos, “Benz-i” përplaset me makinën e policisë, tre të lënduar

Një aksident rrugor është shënuar pasditen e sotme në aksin Fier–Patos, ku janë përplasur dy automjete, mes tyre një mjet policie dhe një automjet tip “Benz”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:40, në afërsi të vendit të quajtur “Kështjella”. Drejtuesja e mjetit tip “Benz” M. H. ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka goditur automjetin e policisë rrugore, me drejtues punonjësin e policisë F. Sh.
Si pasojë e përplasjes janë lënduar dy efektivë të Komisariatit të Policisë Fier dhe drejtuesja e mjetit tip “Benz”, të cilët janë transportuar menjëherë në spital, ku po marrin ndihmën mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, reshjet e dendura të shiut që kanë vijuar që nga mbrëmja e djeshme kanë vështirësuar shikueshmërinë në rrugë, çka mund të ketë ndikuar në aksident.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.
/rtsh.al/