E Diel, 1 Nëntor 2026

Sllovakia del kundër planit të BE-së për përdorimin e asteve ruse-Fico: Do zgjaste luftën në Ukrainë

Kryeministri sllovak Robert Fico deklaroi se vendi i tij nuk do të mbështesë asnjë plan për të përdorur asetet e ngrira ruse për të financuar nevojat ushtarake të Ukrainës, duke argumentuar se një veprim i tillë vetëm sa do të zgjaste luftën.

Deklaratat erdhën gjatë një interviste për transmetuesin publik STVR pikërisht kur Bashkimi Evropian po shqyrton një propozim për t’i dhënë Ukrainës një hua prej më shumë se 160 miliardë dollarësh, të financuar nga fitimet e aseteve shtetërore ruse të bllokuara.

Plani synon të mbulojë deficitin buxhetor të Kievit (që pritet të arrijë në 60 miliardë dollarë pa llogaritur shpenzimet e mbrojtjes) dhe të sigurojë fonde për blerjen e armëve për tre vitet e ardhshme.

“Sllovakia nuk do të marrë pjesë në asnjë skemë ligjore apo financiare për sekuestrimin e aseteve të ngrira nëse ato para do të shpenzohen për kosto ushtarake në Ukrainë”, tha Fico ndërsa shpjegoi se “A duam ta përfundojmë luftën, apo po e nxisim atë? 160 miliardë dollarë për Ukrainën që lufta të vazhdojë. Kjo do të thotë se lufta do të zgjasë të paktën edhe dy vjet të tjera”.

Fico, i cili më herët ka kundërshtuar sanksionet ndaj Rusisë dhe ndihmën ushtarake për Kievin, e cilësoi qëndrimin e tij pro-paqes.

Udhëheqësit e BE-së pritet ta diskutojnë në dhjetor propozimin për përdorimin e aseteve ruse të ngrira – ku nevojitet miratim unanim për ta çuar përpara.

Me pozicionin e Ficos, Sllovakia bëhet vendi i parë që e refuzon hapur planin, duke rritur gjasat për një veto që mund ta bllokojë të gjithë procesin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›