E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident tragjik në motoçiklizëm, humb jetën Antoneli

Shokohet bota e sportit dhe ajo e motoçiklizmit në veçanti. Teksa është ende e freskët tragjedia e çmimit të madh të Malajzisë e tetorit të 2011, ku humbi jetën Marko Simonçeli, një tjetër pilot gjeti vdekjen, pasi u rrëzua në pistën e Moskës. Andrea Antoneli, 25-vjeç, ndërroi jetë pas një aksidenti të rëndë që ndodhi në xhiron e parë të provës së shtatë të Botërorit Supersport, në kategorine e kadetëve të Superbike. Gara e Moskës nisi nën një shi të rrëmbyeshëm dhe me fushëpamje të kufizuar, ndërsa gjatë kalimit të parë në pjesën e drejtë të pistës, e gjatë 900 metra, pilotët e grupit qendror u prekën me njëri-tjetrin, teksa po garonin me 250 km në orë. Në këtë moment Antoneli, pilot i skuadrës GoEleven, humbi kontrollin e Kavasakit të tij ZX-6R dhe u shtyp nga 25-vjeçari tjetër italian Lorenco Zaneti, që drejtonte Hondën e skuadrës holandeze Ten Kate. Për shkak të përplasjes së fortë, Antonelli pësoi dëmtime të rënda në kokë, por edhe pse iu dha në kohë rekord ndihma e shpejtë, nuk mundi të mbijetonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›