Krimi në familje nuk ndalet, 18-vjeçarja vritet me sëpatë nga bashkëshorti
Tiranë- Edhe pse u bënë një sërë ndryshimesh në Kodin Penal sa i përket krimit në familje, vrasjet mes bashkëshortëve nuk kanë të sosur. Pas krimeve tragjike të fillimit të javës një tjetër ngjarje e ngjashme ka ndodhur në Tiranë.
Një 18-vjeçare është vrarë me sëpatë sot pasdite nga bashkëshorti i saj. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Hekal të Tiranës, ku shtetasi Ersi Gjoshi ka qëlluar për vdekje gruan e tij A.Gjoshi, e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Forcat e policisë kanë bërë arrestimin e autorit, i cili po merret në pyetje për të zbuluar se cilat kanë qenë shkaqet e ngjarjes.
Dy ditë më parë një grup përfaqësuesisht të shoqërisë civile zhvilluan një protestë para Ministrisë së Drejtësisë, ku u bënin thirrje gjyqtarëve që të jenë më të ashpër ndaj burrave që vrasin gratë e tyre. Kjo pasi gjatë dy javëve të fundit kanë ndodhur një sërë krimesh në familje, ku gratë janë vrarë nga bashkëhsortët e tyre.