Aksidente në Kukës e Lezhë, humbin jetën dy persona, plagoset një tjetër
Kukës- Një person ka gjetur vdekjen këtë mbrëmje si asojë e një aksidenti të rëndë në dalje të Kukësit. Mësohet se automjeti tip ‘Benz’ me targa të Kukësit ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një humnerë.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Kolsh dhe në automjet udhëtonin dy persona, njëri prej të cilëve gjeti vdekjen e menjëhershme dhe tjetri është në gjendje të rëndë. Viktima është identifikuar si Edison Ollmani 22 vjeç, ndërsa i plagosuri Xhevat Lleshi, 18 vjeç dhe ndodhet aktualisht në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit.
Ende janë të paqarta arsyet e ngjarjes por policia dyshon se drejtuesi ka humbur kontrollin e makinës.
Teksa një tjetër aksident në aksin rrugor Lezhë-Shkodër i ka marrë jetën Bashkim Shahinit, i cili është përplasur nga një makinë në afërsi të fshatit Mab teksa tentonte të kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Forcat e policisë po punojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.