E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zyrtarët prona në bregdet? Shpifje kazani, detin e ka zënë Koçua

berisha-delvineDelvinë- Teksa u ndal në qytetin e Delvinës pasditen e së dielës, kryeministri Sali Berisha theksoi se katër vitet që vijnë janë vendimtare për Delvinën e zhvilluar.

“Në këtë rreth ne kemi ndërtuar një seri rrugësh shumë të rëndësishme. Zotohem para jush se vitin e ardhshëm do të nisin punimet e rrugës Delvinë-Muzinë dhe do të përfundojë në afatin më të shkurtër rruga Kardhiq – Delvinë. Ne do të rindërtojmë të gjithë rrjetin rrugor të bashkisë dhe të fshatrave përreth. Sikundër, për bashkinë e Delvinës do të ndërtojmë një ujësjellës të ri, sapo projekti të jetë gati”,- tha kryeministri.

Ndërsa nënvizoi se do të “bëjmë çdo gjë të përmirësojmë më tej klimën e bizneseve. Me heqjen e taksës mbi çdo makineri edhe me lehtësira të tjera krijohen hapësira të mëdha për iniciativën e lirë dhe për biznesin e qytetarëve të Delvinës, Sarandës dhe gjithë Shqipërisë. Ne do të bëjmë çdo gjë që burimet tuaja natyrore të kthehen në vlera dhe pasuri për ju, të tërheqim në Delvinë sa më shumë investime të huaja dhe vendase, të vazhdojmë së bashku për të rritur më tej rrogat, pensionet, punësimin dhe mirëqenien tek çdo delvinjot”,- u shpreh shefi i qeverisë.

Duke u ndalur tek alternativa e opozitës, duke ritheksuar edhe një herë se është alternativa që kryeministri e quan “alternativa që bazohet kryekëput mbi mashtrimin, në shpifjen dhe trillimin”, theksoi se Rama gënjen kur thotë se qeveritarët kanë prona në bregdet.

“Pak ditë më parë ishte këtu kryetari i autobusit mavi. Ai u zotua se do të krijonte një agjenci të posaçme të jashtëzakonshme për pronat, por mos harroni që në krah kishte Koço Kokëdhimën. Ti japësh Koços në dorë pronat është si të varësh mëlçitë e qengjit në qafën e ujkut.

Le ta pyesim pak se cili qeveritar ka një pronë në bregdet? Thuaja qytetarëve dhe mos mashtro. Cili zyrtar i lartë ka një pronë në bregdet, që flet ti poshtë e përpjetë nëpër mitingje. Të rikujtoj këtu shok i autobusit mavi se gënjeshtra është dobësia më e madhe e burrit. Gënjeshtra është mungesa e plotë e karakterit për burrin. Ndaj thuaj cilët janë ata që bën fjalë ti se u paskan marrë tokat qytetarëve.

I nderuar shoku mavi, ka një njeri që rri në krah tëndin dhe që ka zaptuar Himarën me gradaçela, i ka zënën detin qytetit shekullor, ky është Koço Kokëdhima dhe asnjë tjetër. Le ti lëmë mënjanë sharjet e tij ordinere dhe të padenja. Le ti lëmë mënjanë shpifjet e tij, edhe ato shpifje kazani”,- tha Berisha.

mesopotam-berishaKryeministri Berisha inauguroi sot rrugën e fshatit Livinë, në komunën Mesopotam, Delvinë, investim me vlerë 560 milionë lekë, financim i qeverisë shqiptare. Rruga, me gjatësi 4 kilometër, lehtëson transportin për 2000 banorë të fshatit Livinë.

“Unë jam sot këtu për tu zotuar para jush se me këtë kryetar komune që ju keni zgjedhur dhe me deputetin që do të votoni, Arben Ristanin, do të bëjmë gjithçka që katër vitet që vijnë Livina, Mespotami të bëhen gjithnjë e më tërheqës për turistët nga e mbarë bota, që tokat tuaja të bëhen gjithnjë e më prodhuese, në mënyrë që djersa e ballit tuaj të shpërblehet më mirë dhe ju të realizoni një mirëqenie më të madhe”,- theksoi Berisha.

Teksa akuzoi edhe kryetarin e opoitës se mashtron kur thotë se nuk janë ndërtuar rrugë.

“Ka një muaj që shoku i autobusit mavi bën betejën e rrugëve, një betejë që të kujton personazhet e Servantesit dhe bërtet ku janë rrugët, nuk ka rrugë. Në fakt ka rrugë, ka autostrada nga më modernet, ka rrugë nga më panoramiket, ka nga Mifoli deri në Konispol ku autobusi mavi ecën në rrugë të reja, të ndërtuara dhe të rindërtuara. Por problemi është se xhamat e zinj të autobusit mavi nuk e lejojnw shoferin e autobusit të shohë gjë. Ndaj dhe ai shtron pyetje të tjera qesharake.

mesopotammmmRruga e fshatit Livinë, komuna Mesopotam

Ndaj ne le të vazhdojmë ne së bashku me alternativën tonë, të punojmë për një infrastrukturë moderne, të punojmë për rritjen e turizmit, të punojmë për lulëzimin e fermave tuaja, të punojmë për krijimin e vendeve të reja të punës, të punojmë për mirëqenie, të punojmë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, të punojmë për një të ardhme që e meritojmë. Ju keni derdhur lumenj djerse në tokat tuaja dhe në fshatin tuaj, meritoni një jetë shumë më të mirë. Ju atë po e ndërtoni çdo ditë dhe ne do të qëndrojmë pas jush, tju mbështesim ju”,-përfundoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›