E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, Gjinaj:Një nga shkaqetmungesa e sinjalistikës

TIRANE- Aksidenti tragjik në Gjegjan të Pukës që i mori jetën 14 personave, bën të domosdoshme marrjen e masave për parandalimin e të tjera fatkeqësive. Kryetari i shoqatës së autoshkollave Tonin Gjinaj thotë se mungesa e sinjalistikës është një nga shkaktarët e aksidenteve rrugore. Ai propozon ngritjen e një task-force të përkohshme e cila të merret me vendosjen e sinjalistikave në rrugët problematike.

“Duke ditur që ne jemi në kushte emergjente dhe të gjitha rrugët nuk bëhen për një ditë, duhet të ngrihet një grup emergjence me sinjale të përkohshme që ti vendosin ato në pikat kritike ku parashikohet që mund të ketë rrezik për aksidente, ose në vende ku shpejtësia e drejtuesve të automjeteve është e lartë. Një aksident vjen edhe nga një gropë në rrugë, edhe nga mungesa e sinjalit në vendin e duhur ose në kohën e duhur, vjen dhe nga një shembje e papritur e rrugës” u shpreh Gjinaj.

Kryetari i shoqatës së autoshkollave nuk ka kursyer edhe akuzat ndaj Ministrisë së Transporteve, jo vetëm për shkelje të kodit rrugor por edhe për lulëzimin e autoshkollave të paligjshme.

“Sigurisht që mund të ketë elemente të korruptuar në drejtorinë e përgjithshme të shërbimit të transportit rrugor apo edhe në ministri të cilët mund të kenë ngritur ndonjë autoshkollë fantazëm. Pikërisht për këtë gjë ne i jemi drejtuar prej tre muajsh kryeministrit të vendit dhe ministrit të transporteve me dy shkresa për këto elementë korruptive” theksoi Gjinaj.

Në kulmin e sezonit veror kur dhe numri i aksidenteve është më i lartë, zoti Gjinaj bën apel për drejtuesit e automjeteve dhe kryesisht emigrantëve të cilët janë parë në të shumtën e rasteve si shkaktarë të aksidenteve automobilistike.
(e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›