E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet me motorë, dy të vdekur

SHPEJTËSIA/ Afrim Nezha nga Lushnja dhe Florian Palalaj nga Shkodra ndërruan jetë të dielën në dy përplasje


Në Lushnjë, drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin, më pas e dogji automjetin e tij për të humbur gjurmët


Dy të rinj kanë ndërruar jetë nga aksidentet automobilistike të ndodhura në Shkodër dhe Lushnjë. Policia bën të ditur se mëngjesin e së dielës, rreth orës 10:00, në aksin Lushnjë - Berat, pranë fshatit Fiershegan, një automjet tip BMV ka përplasur një motoçikletë ku ndodheshin dy të rinj.


Si rrjedhojë, motori ka përfunduar disa metra larg, ndërsa drejtuesi Afrim Nezha, 20 vjeç, ka ndërruar jetë në vend. I plagosur rëndë ka mbetur pasagjeri Lauren Arapi, 21 vjeç, edhe ai nga Lushnja.


Pas përplasjes, drejtuesi i mjetit BMV është larguar nga vendngjarja pa u dhënë asnjë ndihmë të plagosurve. Njerëz të rastësishëm që kanë parë ngjarjen, kanë njoftuar edhe policinë.


Kjo e fundit ka përcjellë të vdekurin në morgun e spitalit të Lushnjës, ndërsa i plagosuri ka marrë ndihmën mjekësore në urgjencë. Pas nisjes së hetimit të kësaj ngjarjeje policia rreth një orë më pas ka marrë një njoftim për një mjet që po digjej.


Mjeti ishte i tipit BMV me targa të huaja. Makina është gjetur rreth 2 km larg vendit të ngjarjes dhe policia ka hedhur dyshime se mjeti i djegur është ai që ka shkaktuar aksidentin.


Drejtuesi i saj, i cili u identifikua se ishte Armando Kruja, 31 vjeç, nga Tirana, pas aksidentit për të zhdukur gjurmët e ka djegur automjetin dhe më pas është larguar. Burimet e policisë dhe të prokurorisë tregojnë se fillimisht u gjet pronari i këtij mjeti, që nuk ishte ai që kishte kryer aksidentin. 31-vjeçari do të akuzohet si për shkelje të rregullave të qarkullimit, ashtu edhe për largimin e tij nga vendi i ngjarjes.


Humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit si pasojë e shpejtësisë ka sjellë aksidentimin me vdekje të një 19-vjeçari nga fshati Kosmaç i komunës Bushat, i cili udhëtonte si pasagjer në një motoçikletë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 në aksin rrugor Shkodër- Velipojë, në fshatin Trush i Poshtëm.


Një motoçikletë që drejtohej nga 16-vjeçari Aldo Jaku, dhe në të cilin udhëtonte dhe 19-vjeçari Florian Palalaj ka dalë nga rruga teksa tentonte të parakalonte një automjet. Shpejtësia me të cilën lëvizte motoçikleta mendohet të ketë sjellë përplasjen e fortë të saj dhe dëmtimin e rëndë të pasagjerit.


Palalaj është shkëputur në ajër dhe është përplasur në bagazhin e Benzit që udhëtonte para tyre, ndërsa motoçikleta me drejtuesin ka dalë nga rruga. Ai është dërguar në spitalin e Shkodrës, por me gjithë ndihmën e dhënë nuk ka mundur të jetojë duke humbur jetën pas rreth 30 minutash.


Drejtuesi i motoçikletës, Aldo Jaku, nuk ka pësuar dëmtime të rënda dhe është shoqëruar në polici. Shpejtësia mendohet të ketë qenë shkaku i këtij aksidenti të rëndë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›