Kapet 1 kg heroinë, pranga mbajtësit e policit

Një efektiv i Policisë Ushtarake dhe një i ri nga Kamza u kapën mesnatën e të shtunës duke sjellë drogën në Tiranë
TIRANE- Sekuestrohet një kilogram heroinë në kryeqytet, arrestohet efektivi i Policisë Ushtarake si dhe një person i cili udhëtonte në furgonin e policit të arrestuar, pasi në çantën e këtij të fundit u bllokua edhe sasia e lëndës narkotike prej 1158 gramësh heroinë.
Po kështu policia iu bllokoi dy të arrestuarve edhe një sasi prej 120 mijë lekësh të reja, si dhe armën e punës së punonjësit të Policisë Ushtarake.
Lajmi u bë i ditur dje për "Shekullin", nga burime zyrtare të policisë së kryeqytetit të cilët pohuan, gjatë orëve të vona të të shtunës në rrugën kombëtare Fushë Krujë- Tiranë, pranë kthesës së Valiasit, pa hyrë në Kamëz ishin kapur në flagrancë dhe më pas arrestuar Artur Lita, 23 vjeç nga Kamza dhe Ndue Lokthi, 43 vjeç, me banim në kryeqytet.
Të dy ata udhëtonin me një automjet furgon me targa SH 69 37 E, që drejtohej nga efektivi i policisë ushtarake, Ndue Lokthi, ndërsa i riu nga Kamza poshtë sediljes ku ndodhej i ulur, mbantë një çantë të vogël.
Menjëherë sapo është dukur mjeti i drejtuar nga ushtaraku, policët e postbllokut i kanë bërë me shenjë që të ndalojë, për një kontroll rutinë, duke qenë se ishte orë e vonë dhe postblloku i policisë thuajse ndalonte çdo mjet që kalonte në atë orë.
Sapo punonjësit e policisë iu kanë pohuar dy njerëzve që udhëtonin në furgon se do bënin një kontroll rutinë, ata kanë hezituar një moment, por përpara këmbënguljes së policisë ata janë dorëzuar dhe nuk kanë pasur mundësi për të kundërshtuar shumë. Menjëherë blutë kanë nisur kontrollin e sendeve të ndryshme që ndodheshin në furgonin e policit Lita.
Burimet e policisë pohuan dje se më parë ata kishin marrë informacion se me mjetin me targat SH 6937 E, mund të transportohej lëndë narkotike, por nuk dihej lloji dhe sasia e mundshme e mallit.
Pasi kanë kontrolluar thuajse të gjithë pjesët e furgonit dhe vendet e mundshme të fshehjes, blutë i këkuan 23- vjeçarit çantën që ai mbante poshtë sediljes së tij. Një moment hezitimi i tij, por më pas nuk është dashur miratimi i tij nga policët për t' i kontrolluar çantën të cilët e kanë marrë dhe kanë "shqyer" thuajse të sigurt se aty gjendej malli që kërkohej.
"Bingo",- tha një prej policëve, kur pa të mbështjellë me një qese natribani pakon brenda çantës. Efektivët e Antidrogës që prisnin lajmin, nuk vonuan të shoqëronin personat në drejtorinë e Policisë dhe të nisnin menjëherë punën në ngarkim të tyre.
Ndërkaq, ekspertët kriminalistë kryen këqyrjen e mallit në vendin e bllokimit të tij dhe më pas në drejtorinë e Policisë nisën veprimet e tjera, për këqyrjen e qeses për të gjetur gjurmë të mundshme që mund të ishin të vlefshme.
Gjatë marrjes së tyre në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore dhe të antidrogës, dy personat e arrestuar kanë pretenduar se nuk kishin dijeni për drogën, duke u munduar të shmangin përgjegjësinë nga vetja. Dyshimet e policisë janë se malli vinte nga Shkodra, ndërsa ende nuk ka persona konkretë të dyshuar të tjerë si bashkëpunëtorë të dy të arrestuarve.
Të arrestuar
Artur Lita, 23 vjeç nga Kamza
Ndue Lokthi 43 vjeç, banues në Tiranë, polic ushtarak
Sekuestruar
Mjeti furgon me targa SH 6937 E
1158 gramë pluhur i dyshuar heroinë
119 000 lekë të reja
Dy telefona celularë
1 pistoletë model 54,
një krëhër me 7 fishekë.