Vidhte dyqane me thyerje, arrestohet i dyshuari
Policia arrestoi të dyshuarin i cili brenda një dite vodhi me thyerje disa dyqane në kryeqytet
TIRANE-Ndalohet vjedhjësi i dyqaneve, bastiste bizneset nëpërmjet thyerjes, ndërsa ishte në kërkim nga policia e Durrësit.
Gerald Zeneli, 19 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit, pas një dënimi me dy muaj për krimin e vjedhjes, u arrestua dje në mesditë nga policia e komisariatit nr.2, i dyshuar për një seri vjedhjesh të ndryshme të ndodhura në Tiranë.
Dje policia e komisariatit nr.2, ekzekutoi urdhrin e ndalimit të nxjerrë nga prokuroria, pasi sipas njoftimit të policisë është dokumentuar përfshirja e tij në së paku shtatë raste vjedhjesh në kryeqytet.Nga ekspertimi i kryer i gjurmëve të gjetura në një lokal të vjedhur, ka rezultuar se ai është autor i krimit. Sipas policisë, ai dyshohet se më 17 maj të këtij viti, ka vjedhju lokalin "Postrubi", në rrugën "Irfan Tomini". Nëpërmjet thyerjes sipas burimeve ai ka marrë një sasi të konsiderueshme parash.
Sipas policisë, janë dokumentuar edhe disa ngjarje të tjera. Kështu me 26 nëntor 2009, ka vjedhur me thyerje një minimarket në rrugën "Irfan Tomini". Sipas policisë, po me këtë datë ai dyshohet se ka vjedhur një minimarket tjetër në Selitë, një dyqan ushqimor, si dhe dyqanin e një firme të prodhimit të mishit, po në kryeqytet. Ndërkaq të shtunën, hetuesit e krimeve ndaj pronës në komisariatin nr.2, kanë dokumentuar dy vjedhje të ndryshme që dyshohet të jenë kryer prej Zenelit.
Rasti i parë, i përket datës 13 maj 2010, ku ai dyshohet se ka kryer vjedhjen e një dyqani rrobash në pronësi të një gruaje. "U bë e mundur dokumentimi ligjor i ngjarjes, ku autor është shtetasi Gerald Zeneli, 19 vjeç.
Ky person rezulton të jetë edhe autor i vjedhjes së një lokali bastesh, vjedhje e ndodhur të shtunën në mbrëmje në kryeqytet". Për të gjitha këto ngjarje, i arrestuari duhet të përgjigjet përpara hetuesve të prokurorisë së Tiranës, i akuzuar për vjedhje nëpërmjet thyerjes. Ndërkaq, gjatë kësaj kohe, paralelisht me hetimin për këto vepra Zeneli, duhet të vuajë edhe dënimin e dhënë ndaj tij nga Gjykata e Durrësit.