Aksion për pastrimin e lumit Drino, ndërgjegjësim për komunitetin dhe biznesin që ta mbajnë pastër

Zyra e Administrimit të Parkut Kombëtar Vjosa (ZAPK Vjosa) në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura dhe me mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër ndërmorën një aksion për pastrimin e lumit Drino.
Të dyja stafet u përqendruan në vendin e quajtur “Ura e lumit”, një zonë ku banorët e bizneset depozitojnë mbetje të ndryshme urbane.
“Ky, më shumë sesa një aksion i mirëfilltë pastrimi, është një mesazh ndërgjegjësimi për gjithë banorët e zonës, që të shmangin ndotjen e lumit, sepse lumi është një trashëgimi e madhe që na e ka lënë natyra, të cilin ne duhet t’ua përcjellim fëmijëve tanë. Është një potencial shumë i madh për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm,” tha Eduina Guga, drejtore e ZAPK Vjosa.
Kjo nismë pati si qëllim sensibilizimin e komunitetit për mbajtjen pastër të këtij lumi si degë kryesore e Vjosës, lumit të fundit të egër në Evropë.
“Përpos qëllimit dhe punës së Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar Vjosa, është një detyrë që duhet ta përcjellim ndër breza,” theksoi Edjon Maliqi, specialist monitorimi.
Shmangja e ndotjes së lumenjve, sipas Gugës, nuk arrihet përmes aksioneve, por monitorimit të vazhdueshëm të tyre dhe kujdesit që duhet të tregojnë banorët.
“Të gjithë duhet të kuptojmë dëmin që shkaktojmë tek lumi dhe gjallesat që jetojnë këtu. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohemi së bashku, ta ruajmë lumin të pastër, të egër, ashtu siç na e ka lënë natyra,” apeloi znj. Guga.
Vjosa u shpall “Park Kombëtar”, kategoria më e lartë e mbrojtjes, në mars të vitit 2023. Në sipërfaqen 12.727 ha përfshihen sipërfaqja ujore, bregore, bashkë me sipërfaqe të tjera tokësore, dhe tri degët e saj: Drino, Bënçë dhe Shushicë.
/rtsh.al/