E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet në miniera, 90% shkak operatorët e paligjshëm

TIRANE-Një ndër problema tikat më të mëdha të sektorit minerar është ekzistenca e subjekteve të jashtëligjshme, të cilat jo vetëm operojnë jashtë vëmendjes së qeverisë, por janë edhe përgjegjësit kryesorë për vdekjet e minatorëve. Ekzistenca e tyre u pohua dje, nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, gjatë një takimi pune me përfaqësues nga disa prefektura të vendit, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Tatimeve, si dhe përfaqësues të institucioneve të varësisë së METE, si AKBN dhe RISHM. "Paligjshmëria është një problematikë me të cilën duhet të ndeshemi në mënyrën më të organizuar, koordinuar dhe efikase, sepse paligj-shmëria sjell shfrytëzimin jo ligjor të pasurive natyrore që ka vendi, por ka dhe pasoja shumë të mëdha për sigurinë në punë të punonjësve",- tha Haxhinasto, në takimin ku u diskutua mbi prioritetet, problematikat dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.
90% e aksidenteve
Kreu i Ministrisë i evidentoi këta operatorë si përgjegjës për shfrytëzimin e jashtëligjshëm të burimeve natyrore, por edhe pjesën dërrmuese të aksidenteve, situatë që sipas tij duhet të marrë fund me çdo kusht. "Mund të them se gati 90 për qind e aksidenteve në miniera kanë ndodhur nga këto subjekte, që operojnë pa u licencuar dhe janë jashtë standardeve të punës. Prandaj është e domosdoshme që kësaj situate t'i jepet fund", - tha Haxhinasto.
Investimet
Zëvendëskryeministri Haxhinasto u ndal edhe te një çështje tjetër nga e cila vuan sektori minerar, atë të investimeve. Kreu i METE foli për detyrimin e operatorëve për realizimin e planit të investimeve gjatë ushtrimit të aktivitetit minerar dhe kërkoi riaktivizimin e Task-Forcave ekzistuese në qarqet dhe zonat ku ushtrohet aktivitet minerar. Sipas tij, subjektet e licencuara do monitorohen në mënyrë shumë rigoroze për sa i takon realizimit të detyrimeve për investime të sigurisë së punonjësve, dhe për sa u takon detyrimeve të tjera kontraktuale që ato kanë.
"Çështja e monitorimit të realizimit të investimeve do të jetë parësore në punën tonë monitoruese. Rritja e efikasitetit të këtij sektori do të vijë në mënyrë integrale, nëpërmjet angazhimit të përbashkët të të gjitha institucioneve, Ministrisë, pushtetit vendor, policisë së shtetit, Task-Forcave që ne kemi ngritur, por që duhet të riaktivizohen, me qëllim që ky sektor jetik për ekonominë e vendit, për sigurimin e të ardhurave nga eksportet, të arrijë një standard të ri, të arrijë një standard i cili jo vetëm rrit produktivitetin e sektorit, por i vendos standardet europiane në funksionimin e tij, në garantimin e sigurisë së jetës së punëtorëve, por edhe në raportin midis nxjerrjes dhe pasurimit, me qëllim që vlerat e mëdha minerare që ka vendi të shfrytëzohen maksimalisht, në përputhje të plotë me ligjin dhe mjedisin",- përfundoi fjalën e tij, zv. kryeministri dhe ministri i METE.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›