Aksidentet në punë, numri më i lartë regjistrohet në Tiranë
Edhe pse në Shqipëri ka ligje për sigurinë në punë, shkeljet në këtë fushë vazhdojnë të jenë praktikë e shpeshtë. Gjatë vitit të kaluar, në vendin tonë janë regjistruar 11 aksidente në punë. Viti 2008 filloi me aksidente në punë që i kanë kushtuar jetën punëtorëve. Pothuajse çdo ditë dëgjojmë lajme për aksidente të rënda të punëtorëve nëpër fabrika, miniera apo firma ndërtimi. Nënvlerësim i riskut nga shpërthimi i pajisjeve të punës, mungesa e mjeteve personale mbrojtëse dhe kontroll i dobët i disiplinës teknologjike të punëtorëve janë ndër shkeljet më të shpeshta që çojnë në pasoja tragjike. Të tilla janë rastet si ajo e tragjedisë në ndërmarrjen e "Kurum"-it, ku humbën jetën dy punonjës, të firmës ndërtuese që kryente rikonstruksionin e ndërtesës së shkollës Hoteleri-Turizëm në Tiranë, rasti i tri ditëve më parë në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë, rasti i djeshëm kur dy punëtorë ranë nga skela dhe njëri gjeti vdekjen. Shembuj të tillë të shkeljes flagrante të legjislacionit të punës janë pjesë e jetës së përditshme të shqiptarëve. Inspektorati i Shërbimit të Punësimit deklaron se merr masa ndaj kompanive që nuk respektojnë masat që duhet të marrin për sigurinë në punë, i gjobit, i këshillon. Por, nëse kontrollet e këtyre inspektorëve do të bëheshin ashtu siç e parashikon ligji dhe nëse masat që do të merreshin do të ishin të rrepta, atëherë edhe aksidentet në punë do të ishin më të pakta. Sektori i ndërtimit vazhdon të jetë më problematiku për sa u përket aksidenteve të shkaktuara në punë.
Gjatë vitit të kaluar numri i aksidenteve që kanë ndodhur në punë ka pësuar një ulje në krahasim me vitin 2006. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për vitin 2008. Po të shohësh statistikat e vitit të kaluar vëren se 23.3 % e aksidenteve të shkaktuara në punë ndodhin në ndërtim. Kjo situatë ndodh sepse kushtet e sigurimit teknik që duhet të ofrojnë këto subjekte nuk janë në nivelin e duhur. Ndërkohë që ka shumë subjekte, të cilat nuk ofrojnë as kushtet më minimale të punës, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve. Numri më i lartë i këtyre aksidenteve është regjistruar në Tiranë. Por, garantimi i kushteve të punës, sigurisë dhe mbrojtjes së jetës së punëtorëve, në veprimtari të caktuara si minierat, nafta, etj., nuk është detyrë vetëm e Inspektoratit Shtetëror të Punës, por edhe e inspektorateve të tjera të specializuara në veçoritë përkatëse. Ndërkohë që ISHP ka kërkuar që inspektorët e tij të jenë pjesë e grupeve hetimore që hetojnë aksidentet e ndodhura në punë me pasojë jetën. Madje, Ministria e Punës, në fillim të muajit mars 2008, i ka dorëzuar zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme një kërkesë zyrtare për pjesëmarrjen e inspektorëve të punës në grupet hetimore të ngritura pas aksidenteve në punë. Kur pyet në Inspektoratin e Punës se çfarë masash merren për të parandaluar aksidentet në punë, të japin statistika që po t‘i krahasosh në vite vëren një ulje të numrit të aksidenteve në punë. Pra viti 2007 numëron 111 aksidente, nga të cilat 26 me pasojë vdekje. Në vitin 2006, numri i aksidenteve ishte 146. Gjatë vitit 2007 janë vendosur 253 gjoba në vlerën e 39.796.060 lekë. Shefi i këtij inspektorati, Thoma Miço, tregon se kur gjejnë shkelje ata vendosin gjoba, bëjnë këshillime, kontrollojnë dokumentacionin nëse janë të siguruar ose jo punëtorët, nëse i kanë veshjet e punës ose jo.
"Kemi vendosur gjoba dhe kemi mbyllur aktivitete, duke u hequr licencën, thekson në intervistën e tij Miço. Por siç duket në Shqipëri masat merren pasi ndodhin tragjeditë. Kreu i Inspektoratit të Punës sjell si shembull të punës së tyre rastin e "Kurum"-it, kompani që mbylli aktivitetin pas tragjedisë së fundit. "Për rastin e ‘Kurum‘-it, ai e pagoi duke mbyllur aktivitetin, duke paguar punëtorët", tregon zoti Miço. Ndërkohë që numri i aksidenteve që ndodhnin në këtë uzinë si pasojë e mungesës së rregullave të sigurimit teknik në punë ishte shumë i madh. Masa ekstreme për këtë uzinë u mor pas 6 vjetëve punë gjatë të cilave në uzinën e "Kurum-it" kanë ndodhur 28 aksidente me pasojë vdekjen e një metalurgu dhe plagosjen e disa të tjerëve. Ndërsa për fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë, shefi i Inspektoratit Shtetëror të Punës tregon se kanë kryer shtatë kontrolle, por në asnjë rast nuk i kanë gjobitur, edhe pse kishin gjetur parregullsi në dokumentacion. Ndërsa mangësi për sa i përket kushteve të punës nuk kanë konstatuar. Në shtatë kontrolle kanë lënë vetëm detyra dhe kanë dhënë këshilla. Kur gazetarja e "Fiks Fare" i kërkon shefit të Inspektoratit të Punës që të ndjekin një aksion nëpër firmat e ndërtimit për kushtet e punës, ai refuzon. Premton se do të ketë një aksion të befasishëm te firmat e ndërtimit, por aksioni nuk mund të bëhet kur kërkojnë mediat, por kur ta urdhërojë Inspektorati i Punës. E ndërsa inspektorati i ka të planifikuara kontrollet e tij, po të dalësh nëpër Tiranë, në çdo cep të saj ku ka punime sheh punëtorë që punojnë pa helmetë, pa doreza, janë të palidhur dhe punojnë në lartësi të mëdha, duke u varur. Këto pamje i shikon në fasadën e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërtesa e së cilës po rikonstruktohet, i shikon tek ura mbi lumin Lanë, që po ndërtohet nga e para, dhe kudo tjetër.