Nisin hetimet për 11 dosje tenderësh
Prej vitesh, në media, janë hedhur akuza për abuzime me tenderët e zhvilluar nga Bashkia e Burrelit. Së fundi, këta tenderë janë bërë objekt hetimi për Prokurorinë e Matit, që ka lëshuar një urdhër sekuestrimi për 11 dosje. Urdhri ka mbërritur në bashki, në fillim të kësaj jave dhe para dy ditësh, katër oficerë të policisë gjyqësore i janë drejtuar Bashkisë Burrel, ku kanë kërkuar zbatimin e urdhrit. Burime pranë Prokurorisë së Matit bëjnë me dije se kryetari i bashkisë, Skënder Lleshi, është bërë pengesë për dorëzimin e të gjithë dokumentacionit. Tenderët të cilët do të hetohen, kanë të bëjnë me rikonstruksionin e asfaltimin e rrugëve, si dhe furnizimin e shkollave dhe çerdheve të bashkisë.