Bie skela, vdes një punëtor dhe plagoset një tjetër
Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë, teksa ishin duke punuar në një godinë përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Gjithçka ndodhi paraditen e djeshme, në një objekt në ndërtim pranë autostradës, kur janë aksidentuar rëndë Lin Voci, 45 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe Isa Lama, 41 vjeç, i cili ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur se forcat e policisë që shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, po kryejnë hetime për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Sipas këtyre burimeve, dy personat e mësipërm janë punonjës të firmës ndërtuese "Albion" sh.p.k, me administrator Gëzim Kalaverin. Ndërkohë, hetimet në vazhdim pritet të hedhin më tepër dritë rreth shkaqeve të aksidentimit në punë të dy punëtorëve të kësaj firme. Sipas policisë, kushtet e sigurisë teknike në punë kanë qenë shkaku i këtij aksidenti. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 09:35 të mëngjesit të djeshëm në autostradën Tiranë-Durrës, kur ende pa u shuar mirë jehona e fabrikës së çimentos, ku u plagosën rëndë gjashtë punëtorë, një tjetër skelë është shembur. Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar në komisariat administratorin e firmës ndërtuese "Albion" sh.p.k që po kryente rikonstruksionin e godinës, Gëzim Kalaverin, si dhe inxhinierin zbatues. Këta të fundit janë marrë në pyetje për të zbardhur shkaqet e vërteta të ngjarjes, ndërkohë që nga hetimet paraprake ka rezultuar se aksidenti tragjik në punë ka ardhur si pasojë e moszbatimit të kushteve të sigurisë teknike në punë. Ngjarja është konfirmuar dhe nga të dhëna zyrtare të policisë së kryeqytetit, sipas së cilës, në orën 09:35 është marrë njoftim në Sallën e Drejtimit dhe Koordinimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut se në autostradën Tiranë-Durrës kishte ndodhur një aksident në një objekt në ndërtim. Sipas të dhënave, punëtorët kishin filluar punimet për rikonstruksionin e një godine përgjatë autostradës Tiranë-Durrës që në orët e para të mëngjesit. Sipas kolegëve të tjerë, puna do të ecte normalisht, por kjo deri në momentin që skela do të rrëzohej. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertët e policisë, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Sipas inskenimit, Voci dhe Lama ndodheshin mbi skelë në një lartësi të konsiderueshme, kur kjo e fundit ka lëvizur nga vendi. Për pasojë, dy punëtorët kanë humbur ekuilibrin dhe janë rrëzuar përtokë mes hekurave të skelës. Menjëherë pas kësaj, kolegët e tjerë janë munduar t‘i japin ndihmën e shpejtë, si dhe është lajmëruar policia. Fatkeqësisht, 45-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa kolegu i tij është transportuar me urgjencë për në spital. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes janë kryer veprimet procedurale dhe vazhdon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.