E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëdigjet me benzinë djali i një biznesmeni

Një 29-vjeçar i ka dhënë fund jetës, duke u vetëdjegur me benzinë në karburantin e marrë me qira nga i ati. Viktima, i cili quhet Avni Balla, qëndronte shpeshherë në ambientet e karburantit, ndërkohë që mbetet i pashpjegueshëm motivi që e ka shtyrë atë të vetëvritet. Burimet policore bënë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur pak para mesnatës së djeshme, kur ai ka qenë i vetëm në karburant. Sipas uniformave blu, rreth orës 23:25, ka mbërritur njoftimi në sallën operative se kishte rënë zjarr në një karburant në fshatin Dobresh të Komunës Berzhitë. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes janë nisur zjarrfikësit dhe uniformat blu, të cilët janë vënë në dijeni se zjarri ishte shkaktuar nga 29-vjeçari Avni Balla. Brenda një kohe të shkurtër, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka nisur punën për shuarjen e flakëve, që rrezikonin të sillnin ndonjë tragjedi për shkak të shpërthimit të karburantit. Sipas informacioneve zyrtare, fillimisht është njoftuar se po digjej pika e karburantit "Taçi Oil". "Në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore, shërbimet zjarrfikëse dhe shërbimi shëndetësor, ku është bërë kufizimi i vendngjarjes, sigurimi i zonës përreth dhe më pas fikja e zjarrit", deklaroi policia. Më tej, grupi hetimor ka zbuluar se brenda në godinën e karburantit ishte djegur nga zjarri Avni Balla, 29 vjeç, banues në Kërrabë, i biri i pronarit të karburantit, i cili e kishte me qira këtë biznes. "Nga veprimet e para hetimore dhe procedurale rezulton se viktima kishte derdhur në trupin e tij një kovë me benzinë brenda godinës së karburantit dhe i ka vënë zjarrin vetes. Për pasojë ky person ka gjetur vdekjen e menjëhershme, si dhe është djegur pjesërisht godina e karburantit", detajoi më tej Policia e Tiranës sipas ekspertizës së kryer nga grupi hetimor. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje të të afërmve të viktimës në lidhje me motivin e ngjarjes, policia tha se ka dokumentuar se ai vuante nga çrregullime psikike. Megjithatë, për të dokumentuar plotësisht këtë ngjarje, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në morgun e Tiranës, ku i është nënshtruar një ekspertize të kryer nga Mjekësia Ligjore. Nga ana tjetër, kur policia ka izoluar të gjitha flakët, ka mbajtur nën kontroll edhe pikën e karburantit, nga frika se vatra e zjarrit mund të riaktivizohej dhe të shkaktonte ndonjë tragjedi. Sipas policisë, gjatë operacionit për shuarjen e flakëve, u evakuuan të gjithë të pranishmit dhe u mbajtën në distancë të largët nga frika e shpërthimit. Por, fatmirësisht nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›