E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet në punë sjellin dy të vdekur në Tiranë

AKSIDENTE

TIRANË- Mungesa e kushteve të sigurisë fizike në punë ka shkaktuar gjatë ditës së djeshme dy të vdekur në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit bëhet e ditur se në dy vende të ndryshme, por për të njëjtën arsye mungesën e kushteve të sigurisë fizike në punë kanë gjetur vdekjen dy persona. “Rreth orë 2:00 pas mesnatës së ditës së djeshme, shërbimet Komisariatit të Policisë Nr. 6 janë njoftuar se është gjetur i vdekur një shtetas në një pallat në ndërtim e sipër në vendin e quajtur “Unaza e Re” vetëm pak metra larg Doganës. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor me qëllim zbardhjen tërësisht të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarje. Ku nga hetimet paraprake është arritur në konkluzion se viktima e gjetur në katin e parë përmbys dhe pa jetë është shtetasit 67 vjeçar Baftjar Xhelal Koxha, lindur në Burrel dhe banues në “Unazën e Re”, i cili punonte prej kohësh si roje në këtë objekt ku po ndërtohej një pallat”-thuhet nga policia. Sipas tyre, nga deklarimet e dëshmitarëve që kanë gjetur trupin dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes thuhet se shkaku i vdekjes së 67 vjeçarit Koxha ka qenë, humbja e ekuilibrit të tij gjatë lëvizjes nëpër godinën që po ndërtohej, ku si pasoj ka rënë nga një lartësi prej 3 metrash dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë, po gjatë ditës së djeshme pranë Spitalit Ushtarak në kryeqytet, është dërguar i vdekur shtetasi 44 vjeçar Arben Haki Leçka me banim në Kamëz, i cili gjatë ushtrimit të detyrës së tij si hidraulik ka gjetur vdekjen si pasoj e mos marrjes së masave të sigurisë fizike gjatë kryerjes së punimeve të ujësjellësit në fshatin Çekrez. “Dje aty rreth orës 09:00 të mëngjesit policia e shteti është njoftuar nga personeli i Spitalit Ushtarak, se pranë ambienteve të tyre ka mbërritur shtetasi Arben Leçka 44 vjeç i vdekur. Me marrjen e këtij informacioni, struktura e kontrollit të territorit të Komisariatit Nr. 6 dhe e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit kanë shkuar në vend ngjarje për të hetuar dhe zbardhur rrethanat e kësaj ngjarje”,-thuhet në njoftimin e policisë së shtetit. Sipas tyre, nga veprimet hetimore dhe nga marrja e deklarimeve të dëshmitarëve okularë dhe personat me të cilët Leçka ishte duke punuar, ka rezultuar se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e goditjes në kokë të kapakut të betonit gjatë punës që po kryente në riparimin e rrjetit të ujit në pusetën e fshatit Çekrezë. “Shtetasi Haki Leçka me detyrë hidraulik në Bashkinë Kamëz të kryeqytetit, në momentin e hyrjes së tij në një puset buzë rrugës në fshatin Çekreze për riparimin e rrjetit të ujit i bie mbi kokë kapaku i betonit të pusetës, duke i shkaktuar dëmtime të rënda që nuk mundi t’i mbijetoj”,-thanë burimet e policisë. Sipas tyre, të aksidentuarit iu dha ndihma e para nga kalimtarët e rastit, por si pasojë e dëmtimeve të rënda të marra në kokë ai nuk mundi të jetonte dhe gjeti vdekjen gjatë rrugës së transportit për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas policisë edhe vdekja e tij ka ardhur si pasoj e mos krijimit dhe marrjes së masave të sigurisë fizike gjatë punës. Për të dy këto raste, sipas policisë, materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ku priten të merren në pyetje personat përgjegjës që kishin në ngarkim punonjësit tashmë të vdekur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›