Presidenti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, më të paguarit në Ballkan
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe ai i Shqipërisë Bamir Topi, janë presidentët më të paguar në Ballkanin Perëndimor, bëhet e ditur nga një analizë e Balkaninsight. Presidenti Sejdiu ka marrë një rritje rroge në qershor të këtij viti, pas hyrjes në fuqi të kushtetutës së re dhe tani ka një pagë mujore prej 3400 eurosh në muaj. Më herët paga e tij qe 2600 euro në muaj. Presidenti shqiptar mori një rritje page shumë më të ulët në korrik. Paga e tij aktuale është 250 mijë lekë (rreth 2100 euro). Presidenti i Serbisë Boris Tadiç, ka një pagë prej 1900 eurosh, ndërkohë që presidentët më të keqpaguar të Ballkanit janë Branko Cervenkovski i Maqedonisë dhe Filip Vujanoviç i Malit të Zi. Ata marrin përkatësisht 1200 dhe 1300 euro në muaj. Presidenti i Kosovës mund të mposhtë për pagë edhe presidentin e Rumanisë, vend që tashmë është anëtar i BE-së. Presidenti rumun Trajan Basescu ka një pagë mujore prej 2500 eurosh. Duke marrë parasysh madhësinë e buxhetit të shtetit apo madhësinë e ekonomive që qeverisin, presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës kanë të ardhura nominale shumë më të larta sesa homologët e tyre të rajonit.