Durrës, bllokohen 400 tonë krom për mungesë dokumentacioni
Kreu i tatimeve Durrës ka bërë të ditur se dy kompanitë kane tentuar të fshehin TVSH-në dhe detyrimet e tjera tatimore
Bllokohen në portin e Durrësit 10 kamionë të ngarkuar me mineral kromi që tentonin të kalonin doganën në mënyrë të paligjshme. Sasia e ngarkuar në këta kamionë sipas tatimorëve llogaritet mbi 400 tonë. E gjithë sasia e kromit si dhe 10 kamionë të rëndë transportiu sekuestruan nga ana e autoriteteve tatimore. Autoritetet shtetërore që realizuan në mënyrë të papritur kontrollin dhe më pas bllokimin e të gjithë mjeteve të transportit së bashku me materialin e kromit bënë me dije se e gjithë sasia e mineralit vinte nga minierat problematike të Bulqizës dhe se ishin pa dokumentacionin shoqërues për mallin, gjë që është një kërkesë dhenormë shtetërore për çdo lloj transporti mallrash. Kanë qenë 3 grupe të organizuara të Task Forcës, Policisë dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të Durrësit të cilët kanë organizuar një kontroll të përbashkët në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe punësimit të punonjësve të padeklaruar, që kanë bërë edhe kontrollin e mjeteve në port. Autoritetet e policisë dhe ato të tatimeve kanë realizuar një kontroll rutinë i cili rezultoi me një mungesë totale të dokumentacionit, veprim që realizohet nga ana e firmave për të shmangur detyrimet tatimore. Pas përgjigjeve mohuese që kanë marrë prej shoferëve dhe shoqëruesve të mallit të destinuar për eksport, Drejtori i Tatim-Taksave të qytetit të Durrësit, Shkëlqim Sula, ka urdhëruar vartësit e vet për të bërë bllokimin e mjeteve dhe të mallit, konform ligjeve të specifikuara për raste të tilla. Sipas ligjit të ri të procedurave tatimore, siçka deklaruar ai për mediat, çdo mall që është pa faturë sekuestrohet së bashku me mjetin e transportit. Aksioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit në bazë të një plani të detajuar që u zbatua pa hezitim duke e sekuestruar të gjithë kromin që sipas Drejtorit Rajonal të Tatim-Taksave të Durrësit, Shkëlqim Sulës, kap një vlerë të përgjithshme prej 120 000 dollarësh. Sula thotë se është sekuestruar i gjithë dokumentacioni dhe se të 2 firmat që kishin kromin në pronësi do të gjobiten në një vlerë prej 100 % të TVSH-së së papaguar duke shtuar edhe vlerën e mallit të sekuestruar. Kreu i tatimeve të Durrësit Sula ka bërë të ditur edhe konfiskimin e automjeteve që janë kapur duke transportuar mallin pa faturë tatimore. Numri i automjeteve është 10 copë kamionë transport të peshave të rënda. Sipas të dhënave destinacioni i kromit për eksport ishte shteti fqinjë Italia, por një blerës i madh i kromit shqiptar është edhe Kina.